Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Diskutime Të Ndryshme «« » Çështja Kombëtare » Përkeqja që na vjen prej pabarazisë

Përkeqja që na vjen prej pabarazisë

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal Përkeqja që na vjen prej pabarazisë prej Sun Aug 24 2008, 09:45

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Në të vërtetë problemi më i thiktë në shoqërinë shqiptare është thellimi i përditshëm skajor e i pandalshëm i pabarazisë mes njerëzve. Prej harlisjes së pabarazisë burojnë të gjitha kundërshtitë e mbrapështitë e sotme, sociale, familjare, vetiake dhe kombëtare. Shqiptari i sotëm, sa del në rrugë, madje edhe brënda mureve të shtëpisë gjindet nën trysninë e egër e të papërballueshme të pabarazisë së shtuar me përdhunë, më shumë artificialisht, se natyralisht. Politika e këtyre viteve pluralizëm një gjë e ka bërë vërtet "mirë": ka hapur një hendek të frikshëm të pabarazisë mes njerëzve, hendek që po mbushet përditë me viktima, anarki, tensione e sherre të vazhdueshme, duke harxhuar jetë dhe energji të kota .
As mes bizneseve nuk ka barazi. Përballë tatimeve, trarëve të doganave, tenderave dhe lejeve të ndërtimit nuk janë të barabartë as biznesmenët. Ne si shqiptarë nuk jemi të barabartë jo vetëm mes vedi, po as me fqinjët, derisa edhe maqedonasit guxuan para do kohe të na mbyllin kufirin me "rregjimin e vizave". Prej pabarazisë së kultivuar që na çon aq lehtë në yxhym-anarki ne na kanë futur në hartën e "Ballkanit Perëndimor", më të fundit e listës së integrimit për në BE. Qytetari shqiptar, përballë dyerve të ambasadave dhe pikave të kalim-kufirit është më i diskriminuari dhe më i poshtëruari! Pabarazia që e kemi mbjellë vetë, edhe në këtë botë globale, ne na trajton si qytetarë të dorës së dytë!
Në një shoqëri ku sundon pabarazia, nuk ka demokraci, as stabilitet, as ligje të zbatueshme, as mirëkuptim, as harmoni…Shqipëria ka hyrë në një rrugë pa krye sepse barazi nuk ka patur në ndarjen e pronave, në ndarjen e pasurisë kombëtare e sidomos në ndarjen e meritave. Nëse nga monizmi dolëm të gjithë të barabartë në varfëri, sot jemi të pabarabartë në pasuri e në vlerësim. Mes pronarëve të ligjshëm e pronarëve të paligjshëm, pabarazia e transformuar në padrejtësi po bën kërdinë. Barazi nuk gjen dot as në rrugë, ku i forti i lagjes bën ligjin; pabarazi ka edhe nëpër OJF-ëra, nëpër shoqata e nëpër partira që janë ngritur, medemek, mbi parimin e vullnetarizmit.Përballë gjykatësit, kryetarit të bashkisë a komunës, policit, mjekut, mësuesit e nëpunësit,….unë dhe ti e dijmë që nuk jemi të barabartë. Këtë e kuptojmë sapo trokasim në një zyrë. Pabarazi të frikshme ka edhe mes/brënda familjeve patriarkale që vijnë për t'u legalizuar me aq dëshirë në kryeqytet, në një "botë më të lirë e më të barabartë". Madje këto familje janë viktimat e para të pabarazisë së mbjellë nga keq-politika, të asaj pabarazie ku njeriu për njeriun detyrohet të bëhet ujk. Kjo lloj pabarazie shoqërohet përditë me krime të shëmtuara brënda familjes, me vrasje e vetvrasje të padëgjuara kurrë më parë…( Para ca ditësh një baba i katër fëmijëve ne Bulqizë u vetëvra në sy të fëmijëve dhe gruas, duke e hedhur veten në erë me tritol, pikërisht ngaqë nuk e përballoi dot varfërinë e shkaktuar nga pabarazia). Prapa çdo sherri, drame apo tragjedie qëndron përherë fara e pabarazisë.
Nuk është i barabartë në mundësi e në mirëqënie as vëllai me vëllanë, prindi me fëmijën, burri ne gruan, fqinji me fqinjin, ish i përndjekuri me ish të përndjekurin, qoftë edhe ish komunisti me ish komunistin. Kështu, një ish komunist që sot quhet demokrat i thekur, është edhe mjaft i pasur, ndërsa një ish komunist tjetër që i kanë vënë damkën e ish persekutorit, ndjehet i varfër, i nëpërkëmbur, i pabarabartë! Kjo është në fakt "vlera jonë e shtuar" me dy apo me tre shifra dhe jo rritja "e paparë" ekonomike! Shoqëria shqiptare sot për sot nuk ka asnjë lloj peshore të vlerave dhe antivlerave, as për historinë e largët, as për çmimin e jetës së njeriut të thjeshtë, as për ata që na drejtojnë e shtyjnë drejt pabarazisë. Edhe për të siguruar një vend në varreza ne nuk jemi të barabartë!
* * *
Pabarazia në shoqërinë e sotme ka kryer masakrën më të rrokopujshme morale, materiale dhe urbane në gjithë historinë tonë. Zilitë dhe ligësitë që lindin nga pabarazia janë sot për sot plagët më të rënda dhe më të papërballueshme sociale, sepse ato janë të arsyetuara me pyetjen rrënuese dhe paralizuese: Ç'vlera ke ti më shumë se unë? Përse ti u bëre i pasur dhe unë mbeta trokë? Me një diplomë të blerë mund të bëhesh ministër, kryetar Kuvendi, madje edhe akademik! Sot mund kesh mbaruar shkollën e mesme e të mos dish të shkruash as emrin tënd! Por ironia më e shëmtuar e pabarazisë filloi me shpërndarjen "e letrave me vlerë", pastaj me ligjin për tokën e në vazhdim me ndarjen e pasurisë kombëtare nëpërmjet privatizimeve, legalizimeve dhe tenderimeve politike e nepotike. Tanimë nuk ka ligj e as fuqi që të vendosë barazi e drejtësi në këtë mishmash të qëllimshëm, ku pabarazia quhet drejtësi dhe drejtësia jepet me pabarazi, ndësa anarkia quhet "demokraci e brishtë". Mrekullitë që, si me shkop magjik, t'i jep pabarazia tashmë "e institucionalizuar"nga partitë, rëndom nuk vijnë si në vendet demokratike: prej konkurrencës, prej aftësive dhe meritave, nga diversiteti, nga djersa, nga shkollimi e nga profesionalizmi, apo qoftë edhe nga trashëgimia. Më së shumti ato të falen si "dhuratë perëndie" nga partia, nga udhëheqësi, qoftë ky i komunës apo i shtetit, pra nga "shkathtësia" që tregon njeriu i zakontë i rekrutuar për të qënë sa më i pafytyrë, sa më i korruptuar moralisht dhe veçanërisht sa më i shitblerë politikisht. Kjo kategori është bërë e pushtetshme, e pasur, VIP! Po pate pushtet, bëhesh i pasur; po qe i pasur, je edhe i mençur; dhe po qe i mençur, pse të mos bëhesh edhe i shquar?!
Sa më faqezi shfaqesh sot në publik, sa më i lëtyrtë të jesh, duke i shërbyer një të madhi, aq më shumë shpërblehesh me pabarazi, dmth me pasuri dhe ofiqe! Është shumë e vështirë që pabarazia me pushtet të kthehet një ditë në barazi të qytetarëve pa pushtet. Në një shoqëri me pabarazi, ku ka shpërpjestime të mëdha ekonomike, nuk do të gjendet asnjëherë në të as drejtësi, as liri. Madje në shoqërinë tonë pabarazia ka shkuar aq larg, sa mund të bëhesh edhe akademik, pa asnjë vepër shkencore, pa merita shkencore, me do marrëzi shkencore jo të shkruara, po të hedhura gojarisht nëpër debate mediatike kundër disave që quhen "armiq të partisë"! Në një polemikë mes një ish ministri të arsimit dhe një drejtuesi të lartë të Akademisë së sotme, ky i fundit i përgjigjet: "Uroj të të ketë mbetur pak kujtesë..Kur ti ishe në emigrim, vendi im kishte një kryeministër peshëngritës (Ilir Meta). E more vesh çfarë race jemi ne peshëngritësit shqiptarë që kemi nxjerrë kampionë Olimpikë, kampionë bote, kryeministër dhe akademik?" (Tema, 20 gusht). Tek ne pra, pabarazia materiale që vjen nga emërimet partiake si rregull shoqërohet me pabarazi morale. Të dy këto pabarazi e bëjnë shoqërinë të sundohet e të drejtohet në të gjitha nivelet nga anarkia e vlerave.
Mjafton të vëzhgosh zëdhënësit e partive e të ministrave, po edhe ministrat, gjykatësit, shefat e komisariateve dhe një pjesë të mirë të drejtuesve të lartë të institucioneve, të cilët, sa janë emëruar nëpër poste, menjëherë janë bërë të pabarabartë, natyrisht jo vetëm materialisht. Para se të ishin të tillë, ata, pa asnjë dyshim, ishin më të varfër e, rrjedhimisht, edhe të thjeshtë si ne, qytetarët e rëndomtë. Por ama, pasi emërohen nga partia, ata menjëherë bëhen të shquar, kryekrejt të pabarabartë! Një nëpunës i ardhur nga periferia para ca vitesh ka pas thënë një fjalë "të mençur": Ashtu si nuk ka katundar pa tokë, nuk ka as qytetar pa dyqan! E pra, ai dinte të lidhte lopën në haur, po nuk dinte të lidhte kollaron kur erdhi në Tiranë, kurse tani ka dyqane në kryeqytet, ka edhe tokë në pronësi!
Mercenarizmi politik, militantizmi partiak, shërbimet shpesh edhe me bazë kriminale ndaj "shefave të mëdhenj" të partive, janë shpërblyer e po shpërblehen jo vetëm me pasaporta diplomatike, po edhe me pasaportën e pabarazisë! Pasuritë publike, pronat dhe privatizimet, pasuritë e tundshme e të patundshme, emërimet dhe shkarkimet që serviren si "reforma", gradat dhe titujt, deri edhe ato që jep Presidenti, në themel kanë këtë kriter: një badigard vlen më shumë se një akademik, një allishverish e një rryshfet vlen shumë më shumë se respekti për ligjin, një mercenar partiak vlen më shumë se një shkencëtar!
Prandaj vrasjet dhe vetëvrasjet, rrahjet dhe sherret, sëmundjet psikike dhe divorcet, tradhtitë dhe miqësitë, përçarjet dhe aleancat, ikjet masive nga Shqipëria nëpër male e nëpër dete, çrregullimet urbane dhe demografike, deformimet morale dhe ekologjike, në thelb e në rrënjë kanë shtimin e frikshëm të pabarazisë mes njerëzve të rënë tashmë në një si kllapi mbarëkombëtare morale që prodhon përditë, mjerisht, më së shumti antivlera se vlera, shkatërrim se ndërtim, konflikt se mirëkuptim.
Nuk është tepri po të them se shqiptarët e sotëm janë më të pabarabartë se kurrë, rrjedhimisht edhe më pak të lirë nga ç'kemi shpresuar.Tani duket më se normale që një njeri me pushtet të jetë i pabarabartë me ne qytetarët e zakontë, ashtu si në bulevard një pushtetar, madje edhe makinat e policisë rrugore mund të kalojnë me semafor të kuq! Natyrisht që nuk është fjala vetëm për atë që quhet "imunitet".Sot një kryetar i çfarëdoshëm partie është më i paprekshëm nga ligjet në fuqi edhe kur me veprimet e mosveprimet e tij vret njerëz, le më kur vë pasuri të paligjshme. Për këtë nuk lipset të shkosh nëpër sallat e gjyqeve, as nëpër burgje, për të parë se kush dhe si ndëshkohet apo nuk dënohet. Pluralizmi, që si vlerë dhe si shtyllë kryesore ka barazinë e garantuar nëpërmjet konkurrencës, pra nëpërmjet zgjedhjeve të lira, tek ne u degradua shumë shpejt e mjaft lehtë në pabarazi të mirëfilltë, duke vrarë fillimisht votën e qytetarit e pastaj aspiratën për barazi e drejtësi; për shanse dhe mundësi të barabarta.
Të dalë nga një rregjim totalitar kur barazia shpallej me propagandë si vlerë universale, meqë individi ishte totalisht i shpronësuar dhe po aq totalisht i asgjësuar nga e drejta natyrore për konkurrim, të ndëshkuar edhe me rregjimin e biografive dhe të luftës së klasave, kjo gjasme demokraci na ka ndëshkuar me një lloj tjetër pabarazie që quhet "kapitaliste", por që në fakt është pabarazi cubash e hajnash! Nëse nga ai rregjim dolëm të gjithë me duar në xhepa, sot nuk jemi aspak të tillë. Sot një pjesë i ka duart nëpër banka të huaja e nëpër prona të patundshme, kurse shumica vë firmën nëpër listat e dyqaneve të bukës! Sot qytetari, i cili shpresoi aq shumë te barazia e demokracisë, u gjend i kapur në kurthin e padrejtësive, të pabarzisë jo vetëm ndaj ligjit, po edhe të ndarjes së padrejtë të pasurisë kombëtare.
Le të pyeten shumica e shqiptarëve: çfarë kanë marrë nga ndarja e pasurisë kombëtare, pas një kontributi dyzet e ca vjeçar nëpër veprat e socializmit? Ca letra me vlerë, dmth një pabarazi të garantuar!Para më se 250 vjetësh Zhan Xhak Ruso shkruante:"Nga pabarazia e skajshme e kushteve dhe e fateve krerët …do të nxisnin të gjithë atë ç'ka mund të dobësonte njerëzit e bashkuar me qëllim që t'i përçanin, të mundësonin gjithçka që mund t'i jepte shoqërisë një pamje harmonie të përfaqtë…të mbillnin në të farën e një ndasie të njëmendtë, të frymëzonin…një keqbesim dhe një urrejtje të ndërsjellë, nëpëmjet kundërvënies së të drejtave dhe të interesave të tyre… të përforconin, si rrjedhojë, pushtetin që i mban nën vete të gjithë…."
Kjo pabarazi është instaluar tërësisht në shoqërinë e sotme shqiptare.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi