Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Diskutime Të Ndryshme «« » Çështja Kombëtare » Dhjetë të vërteta të pakëndshme për Kosovën

Dhjetë të vërteta të pakëndshme për Kosovën

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e

Veton Surroi


-Konkluza pas Mbledhjes së Këshillit të sigurimit të 26 nëntorit-

1. Kosova zyrtare nuk di të negociojë

Në momentin kur hynë në raportin e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, 6 pikat e Ban Ki Moon, kusht që Serbia të lejojë zbarkimin e EULEX-it në pjesët e Kosovës që janë nën kontroll të saj, ato tashmë ishin negociuar jo vetëm me Serbinë, por edhe me sponsorët perëndimorë të pavarësisë së Kosovës. Sipas raportit , ato ishin të negociuara edhe me palën kosovare , bile presidenti dhe ministri i jashtëm të Kosovës, në qershor dhe korrik të këtij viti kishin përshëndetur përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm. Sekretari i përgjithshëm, nga ana e tij, edhe në raport kishte përshëndetur përpjekjet e Prishtinës për të gjetur një “progres pragmatik” ndaj propozimit të tij.
Prej 12 qershorit deri më 10 nëntor, Prishtina nuk ka refuzuar gjë. Më 10 nëntor ka refuzuar “elementet substanciale” të 6 pikave. Më 18 nëntor , presidenti dhe kryeministri botuan 4 pikat e tyre, që i trajtuan si refuzim të 6 pikave në tërësi. Më 25 nëntor, kryeministri dhe presidenti dolën me deklaratë se 6 pikat janë të pazbatueshme, më 26 nëntor ministri i tyre i jashtëm shprehu falënderim për zbarkimin e EULEX-it. Më 27 nëntor presidenti dhe kryeministri përkrahën mbledhjen e Këshillit të sigurimit, i cili përkrahu Raportin e Ban Ki Moonit në të cilin janë gjashtë pikat kundër të cilave ishin përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare.
Prijësit shtetëror të Kosovës u përpoqën që me dy javë deklaratash publike të ndryshojnë një proces negociator që kishte filluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, e të cilin ata e kishin injoruar në tërësi, e në intervale madje edhe e kishin përkrahur.
Në 20 vitet e zhvillimit e kontakteve diplomatike të Kosovës, dhe dhjetë viteve të proceseve negociatore të Kosovës e për Kosovën , ky është momenti më i dobët kosovar. Prishtina zyrtare ka treguar gjatë këtij viti se nuk di të negociojë.
2. Kosova zyrtare nuk di kur të refuzojë
Mungesa e sensit të Prishtinës zyrtare për ndërlikimin e situatës diplomatike për Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ka shkaktuar një politikë reaktive kosovare , shumë herë të paqëndrueshme. Prej momentit të shpalljes së pavarësisë, Prishtina zyrtare nuk ka pasur qëndrim refuzues ndaj së paku tri zhvillimeve fondamentale që e kanë vënë në gjendjen e sotme.
Fillimisht, ka pranuar heshtazi gjendjen e krijuar pas aksionit të organizuar të Serbisë për djegien e pikave kufitare 1 dhe 31 dhe tërë dhunën pasuese në Mitrovicë veriore që e bëri të negociueshme çështjen e zbarkimit të EULEX-it në Veri. Me këtë i dha Beogradit legjitimitet bashkëqeverisës në Kosovë në negociatat që do të pasonin. E ky është zhvillimi i dytë, pra negociatat e hapura nga Ban Ki Moon në qershor të këtij viti. Prishtina zyrtare pranoi parimet e këtij procesi negociator , e parimet ishin se Beogradi dhe Prishtina do të vendosnin bashkërisht për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, duke i respektuar interesat e ndërsjellë të të dy qendrave për Kosovën. Pesë muaj pasi që kishte pranuar parimet e këtij procesi, Prishtina zyrtare u përpoq që t'i refuzojë.
Dhe, tre, Prishtina zyrtare e kishte trajtuar si të parëndësishme tërë çështjen e pozitës së saj ndërkombëtare (duke përfshirë njohjen e shtetit dhe çështjen e iniciativës së Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë)
3. Kosova zyrtare nuk di çka të refuzojë
Gjatë dy javëve të kaluara presidenti dhe kryeministri i vendit kanë theksuar se e refuzojnë planin gjashtë pikësh të Ban Ki Moonit (të cilin , në deklarimet me shkrim e me gabim thelbësor , ata e quajnë plan gjashtë pikësh të Kombeve të Bashkuara, e jo si propozim të sekretarit të përgjithshëm). Njëherë thanë se i refuzojnë “elementet substanciale”, pastaj thanë tërë planin. Më 25 nëntor thanë se do të refuzojnë çdo gjë që shkon ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Vetë procesi negociator ka shkuar ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Duke marrë pjesë në të , e duke mos krijuar distancë juridike, Prishtina zyrtare ka lejuar që të ndajë juridikisht sovranitetin me Beogradin zyrtar në materie siç janë administrimi i kufirit, policia, doganat, etj.
Duke thënë se refuzojnë çdo gjë që shkon ndesh me Kushtetutën , nuk kanë thënë gjë, meqë interpretimin e Kushtetutës e bëjnë vet. Me interpretimin që i bën presidenti i vendit Kushtetutës, ai është duke e thyer atë , duke e ruajtur postin e prijësit (“të ngrirë “) partiak.
4. Kosova zyrtare nuk di se ç'do të bëjë një ditë më pas
Kryeministri i vendit , në shoqëri me presidentin, deklaroi më 25 nëntor se gjashtë pikat janë të pazbatueshme në Kosovë. Në deklarime të mëhershme dhe të mëvonshme, nga ky dysh negociator (i shoqëruar pastaj edhe me ministrin e tyre të jashtëm) do të përsëritet se institucionet e Kosovës do të mbrohen , duke mbrojtur Kushtetutën.
Këto deklarime janë pak a shumë nonsens. Gjashtë pikat e Ban Ki Moonit janë të zbatueshme pa e pyetur Prishtinën zyrtare. Ato, si dogana e regjimi kufitar, që kanë të bëjnë me territore ku nuk shtrihet pushteti i Prishtinës zyrtare nuk do të pyesin për bekim formal të saj. Të tjerat, siç janë ato të trashëgimisë religjioze, do të mbesin zvarrë po të dojë të rezistojë Prishtina. Me këtë, dosido është mbërritur efekti i dëshiruar i Beogradit, që t'i trajtojë si nule marrëveshjet ndërkombëtare që i ka marrë Kosova për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e religjioze serbe në procesin e Vjenës.
Kushtetuta, ndërkaq, në këso rasti nuk është mjet mbrojtje. Ajo duhet të mbrohet, e jo të rrënohet nga brenda, siç kanë lejuar ta bëjnë negociatorët kosovarë.
Gjashtë pikat janë realitet, një ditë pas Mbledhjes së Këshillit të sigurimit. Dhe ato tash kërkojnë një përgjigje politike.


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
5. Gabimet, në perspektivë, të Kosovës zyrtare
Dështimi në kontinuitet i Kosovës zyrtare për t'u ballafaquar me Serbinë në arenën ndërkombëtare mund ta shtyjë të vazhdojë me gabime. Tri janë gabimet , nga më të mëdhatë, për të cilat është e predispozuar, në bazë të sjelljes së deritanishme, Prishtina zyrtare.
I pari është që të vazhdojë me veprimin e deritanishëm. Mungesa e iniciativës, mendimit dhe vizionit politik që e ka karakterizuar Prishtinën zyrtare në nëntë muajt e pavarësisë, po të vazhdojë , do të krijojë një gjendje ku vendosja e një regjimi të ri pa largimin e regjimit të vjetër të pranisë ndërkombëtare kalon pa sëndërtuar interesat e kosovarëve , nga vet kosovarët. Deklarata e presidentit Sejdiu , me rastin e gjashtë pikëshit, se “jemi anashkaluar nga i dërguari i OKB-së” është ilustrative për gjendjen e mosbërjes: çdo gjë do ta anashkalojë një politikë e cila nuk ka ide , vizion e iniciativë.
I dyti është që të fajësojë faktorin e jashtëm për dështimet vetjake,madje duke kërkuar bllokimin e implementimit të rekomandimeve të Ban Ki Moonit “me fuqinë e popullit”. Asnjëri prej faktorëve ndërkombëtarë nuk ka obligim më të madh për ruajtjen e interesave të Kosovës se vet bartësit e institucioneve shtetërore. Duke falënderuar në abstraksion bashkësinë ndërkombëtare, e duke e akuzuar atë në praktikë për gjashtë pikat, Kosova zyrtare mund të rrëshqasë shumë lehtë në demagogji, ku për dështimet e veta do të fajësojë të tjerët , tash Bashkimin Evropian i cili ka mandatin e EULEX-it. Efekti i këtij gabimi do të jetë devalvimi i mëtejmë i pozitës së Kosovës në shkallën e vlerave ndërkombëtare.
I treti është që të rindërtohet një balans negativ mes Kosovës zyrtare dhe bashkësisë ndërkombëtare. Prijësit shtetëror , në këtë situatë nervoze, do të jepnin garanca se nuk do të ketë trazira të dhunshme në këmbim për një carte blanche veprimi jolegjitim e joligjor me paranë publike dhe favore të tjera të pushtetit. Me këtë do të kthehej në derë të madhe politika e shantazhit , përfshirë edhe kërcënimit me dhunë ndaj kundërshtarëve politik, në jetën e brendshme në Kosovë.
6. Procesi negociator nuk ka përfunduar
Kosova zyrtare mund ta quajë këtë kapitull të mbyllur, por nuk është kështu.
Raporti i miratuar i Sekretarit të përgjithshëm e vendos një dinamikë të re juridike në Kosovë. Në Kosovën e banuar me shqiptarë (dhe komunitete luajale ndaj Kosovës) do të funksionojnë autoritetet e zgjedhura që veprojnë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe EULEX-i, që do të funksionojë duke u shërbyer me këtë sistem juridik. (Këtë pjesë Ban Ki Moon e përshkruan si konflikt me rezolutën 1244) .Në pjesën e banuar me serbë (anipse mund të jenë ithtarë të rendit kushtetues kosovarë) do të funksionojë gjendja e tanishme juridike (dmth ,sistemi juridik i Serbisë) dhe EULEX-i që do të funksionojë duke u shërbyer me këtë sistem juridik.
Gjatë muajve të ardhshëm do të definohen së paku tri procese që rrjedhin prej kësaj gjendje anormale (apo , thënë të drejtën , legjitimimit të kësaj gjendje anormale nga ana e sekretarit të përgjithshëm).
I pari është ai i vendosjes së relacionit mes pushtetit të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, dmth, të ndarjes së detyrave në praktikë.
I dyti është ai i vendosjes së relacionit mes institucioneve paralele serbe (si derivate të institucioneve të Republikës së Serbisë) dhe EULEX-it, që do të thotë prapë të ndarjes së detyrave.
I treti është procesi i ndërlidhjes mes një sistemi juridik dhe tjetrit , me EULEX-in si urë ndërlidhëse.
Ky proces negociator nuk do të ketë ndërmjetës, konferenca shtypi e as sallë konferencash ku do të zhvillohen. Do të jetë proces negociator i përditshëm , ku në bazë të hapave e masave që bëhen konkretisht në vendbanime , gjykata e dogana krijohen realitetet e reja që pastaj përmblidhen në një sistem të identifikuar juridik.
Në këtë proces negociator , pala e vetme e cila e ka qartazi të parapërcaktuar cakun dhe metodologjinë është ajo serbe. Caku është përdorimi i EULEX-it për një sistem juridik të veçantë serb në Kosovë , duke e quajtur çështjen e statusit të saj ende të papërfunduar.
7. Procesi negociator nuk dihet kur do të përfundojë
Kosova zyrtare, që ka treguar mungesë të plotë përgatitje për sfidat e mëdha gjatë nëntë muajve të kaluar tash do të ballafaqohet me një sfidë tjetër, që do të kërkojë një koncept të gjerë veprimi.
Formulimi kyç në raportin e Ban Ki Moonit , i cili do të përsëritet në fjalorin politik për shumë muaj, e ka drojë , edhe vjet, është ai i “mekanizmave pasardhës”. Gjashtë pikat , apo gjashtë fushat e përcaktuara në raport , do të administrohen në formën dualiste çfarë e propozon ai, deri sa të mos vendosen “mekanizmat pasardhës” (“Followup mechanisms”).
Koha e hyrjes në fuqi të këtyre “mekanizmave pasardhës” nuk është përcaktuar, dhe ashtu siç mund të jenë 120 ditë (siç i premtohet Kosovës zyrtare) mund të jenë edhe disa vjet.
Për më tepër nuk është përcaktuar natyra e “mekanizmave pasardhës”. Në Perëndim, Kosovës zyrtare do t'i pëshpëritet në vesh se ky është formulim i maskuar me të cilin thuhet se “kur t'i marrë në duart e veta EULEX-i, përfundon puna me OKB”. Beogradi dhe aleatët e vet në OKB (e madje edhe në BE) nuk mendojnë kështu. Prapë nevojitet që sekretari i përgjithshëm , së bashku me Këshillin e sigurimit , të përcaktojnë se kur kanë hyrë në fuqi “mekanizmat pasardhës”, dhe çfarë janë ata në të vërtetë.
Ndërkohë, si dhe në çdo tranzicion, dhe siç thamë , negociata me veprim të përditshëm , do të krijohen realitete të reja që do të kërkojnë sanksionimin e vet juridik. Për Beogradin, kjo do të thotë krijimin e një sistemi serb në Kosovë, nën ombrellën e kombinuar BE-OKB, duke e mbajtur të hapur çështjen e statusit të Kosovës.
8. Prishja e ekuilibrit evropian
Me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së , Bashkimi Evropian është vënë në një gjendje të çekuilibruar karshi Kosovës e Serbisë. Objektivi i përcaktuar në raportit e Komisionit Evropian për vitin 2009 do të duhej të ishte një qasje paralele për integrimin e Serbisë dhe të Kosovës. Me këtë qasje, Serbia do të duhej të fitonte statusin e kandidatit , ndërsa Kosova studimin e fizibilitetit , që është hapi i parë por me simbolikë të madhe, ngase do ta njihte Kosovën si partner me fuqi të plotë kontraktuese.
Për të mbërritur në këtë fazë, është llogaritur se Serbia do të duhej që , pos dorëzimit të Mlladiqit, të pajtohet edhe me shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Ky moment do ta “lehtësonte” Serbinë nga barra e Kosovës për aq sa BE-ja ta shpërblente me status të kandidatit, e Kosovës t'i jepte sigurinë e nevojshme që të merrej me ristrukturimin e nevojshëm për integrim evropian.
Beogradi zyrtar, me një fitore diplomatike pas tjetrës, arriti që pengesën kosovare ta eliminojë në favor të vetin , duke pranuar shtrirjen e EULEX-it, por me kushte të vetat, dhe duke i dhënë vetes më shumë forcë vendimmarrëse në Kosovë se kurdo prej 12 qershorit të vitit 1999. Kosova , ndërkaq,fitoi një paqartësi administrative e cila mund ta pengojë atë edhe më në vendosjen e një qeverisje funksionale.
Prishja e këtij ekuilibri mund të thellojë ndarjen e marrëdhënies që kanë Serbia e Kosova me BE-në. Beogradi mund të shpejtojë natyrën integruese të marrëdhënieve të veta, tashmë që është bërë partner me EULEX-in. Prishtina, ndërkaq, duke u marrë me lëmshin tranzicional të EULEX-it mund të kundrohet si gjithnjë e më antagonizuar me BE-në.
9. Rënia e mëtejme: diskrepanca e rrezikshme
Kosova zyrtare , e mbyllur në vetëkënaqësinë e shpalljes së pavarësisë,me shfaqjen e gjashtëpikëshit është konfrontuar për herë të parë me një kontroll realiteti. E , ky është se pas shpalljes së pavarësisë , shteti duhet të funksionojë, Kosova zyrtare duhet të marrë përgjegjësitë ashtu siç i ka kërkuar prej kohësh.
Prej marsit të këtij viti, megjithatë, shteti i Kosovës është në pozitë gjithnjë e më të disfavorshme karshi fuqisë e cila e konteston këtë pavarësi. Nga marsi e këtej , Kosova zyrtare ka toleruar që të vihet në pyetje jo vetëm funksionimi praktik i shtetit në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por tashmë ka lejuar që kjo ndarje faktike të legjitimohet sërish nga Kombet e Bashkuara.
Baras me këtë rënie ndërkombëtare, Kosova ka dëshmuar mangësi në funksionimin e brendshëm institucional. Në asnjërën prej fushave tradicionale “të forta” të shtetësisë nuk ka treguar vendosmëri , përcaktim e përgatitje. Në diplomaci morri kohë disa muaj për një improvizim përzgjedhje trupi diplomatik. Në Agjencinë e zbulimit , pesë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës , ende nuk është përzgjedhur njeriu që duhet ta udhëheq/organizojë , anipse vendi po kalon nëpër afera , siç është ajo e tre gjermanëve të arrestuar, që mund të dëmtojnë edhe më imazhin e vendit me partnerë kyç , siç është Gjermania. Në Ushtri, nuk po mund të emërtohet komandanti i cili do të marr përgjegjësinë për udhëheqjen e saj.
Në fushat “e buta”, gjendja nuk është më e mirë. Vendi nuk e ka as sensin elementar të kahes së zhvillimit të vet ekonomik, ndërsa gjendet në prag të vendimeve strategjike të privatizimit të ndërmarrjeve që mund të trajtohen si pasuri kombëtare. Rritja ekonomike e vendit është më e ulëta në tërë regjionin.
Karshi kësaj rënie, Serbia është duke shënuar rritje , tej përmasave të regjionit, në të gjitha fushat, prej konsolidimit të demokracisë e deri te shkalla e rritjes ekonomike.
Për Kosovën zyrtare kjo do të duhej të ishte një thirrje për zgjim nga gjumi. Për dallim prej vitit 1999, është zhdukur avantazhi moral i Kosovës, bile aq sa ministri i jashtëm serb Jeremiq, padrejtësisht, të mbajë ligjërata në Këshillin e sigurimit për shkeljet që u bëhen serbëve. Më 2009, shumica e shteteve evropiane do të kenë harruar Milosheviqin, kur të bisedojnë me Beogradin,pra do të bisedojnë për aranzhmane më të mëdha ekonomike. Më 2009 , shumica e shteteve evropiane do të kenë një preokupim kur të bisedojnë me Prishtinën zyrtare: hollësitë rreth EULEX-it.
10. Ku nuk mund të ndihmojë Dragodani
Ambasada amerikane (më parë Zyra) në Prishtinë ka qenë adresa pa të cilën nuk bën në koordinimin e hapave konkret për arritje në pavarësi, dhe për hapat imediat pas shpalljes së pavarësisë.
Kosova zyrtare , me deficitin e vet të kapacitetit qeverisës, e ka krijuar një marrëdhënie të panatyrshme. Në vend të konsultimit strategjik, pa të cilin nuk bën, liderët shtetërorë kanë kaluar në konsultim taktik , deri në hollësi. Kjo spirale e varshmërisë nga Ambasada amerikane ka krijuar një gjendje ku ambasadorja duhet të vendos për gjithçka, prej dukjes së flamurit kosovar e deri si duhet të votojnë deputetët e Kuvendit për këtë ligj a iniciativë.
Spiralja e këtillë sjell çrregullim evident në atë që do të duhej të ishte sistem i marrjes së përgjegjësisë nga ana e kosovarëve. Të fshehur gjithnjë pas vendimeve që , në të vërtetë apo gjoja, janë marrë në ambasadën amerikane , liderët shtetërorë po krijojnë një atrofi të mëtejshme të demokracisë, duke ngarkuar gjithnjë e më shumë këtë ambasadë , me vendime që realisht ishin harruar , qysh prej vitit 1989, siç është ai se a duhet të mbajë një parti kuvendin e saj zgjedhor apo jo.
Ndihma e Shteteve të Bashkuara do të jetë kyçe në sfidat e vitit të ardhshëm. Duke bashkëpunuar me BE-në, është i vetmi shtet i cili mund të korrigjojë devijimet që janë të mundshme në praninë ndërkombëtare të Kosovës gjatë këtyre muajve dhe vitit të ardhshëm. Dhe , ky rol nuk mund të devalvohet nga ana e kosovarëve duke kërkuar mikromenaxhim të vendit; për këtë janë zgjedhur vet kosovarët.
Këtë do të duhej ta dinte Kosova zyrtare, e cila gjithsesi do vazhduar shkuarjen në adresën amerikane në Dragodan. Por ,jo për të kërkuar aty mendimin vetjak. /Botuar në Koha Ditore/


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi