Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Shkenca Dhe Jeta «« » Filozofi-Psikologji&Sociologji » Dicka mbi personalitetin!

Dicka mbi personalitetin!

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal Dicka mbi personalitetin! prej Tue Dec 23 2008, 02:27

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Të gjitha proceset psikike, siç janë: të perceptuarit, të menduarit, të ndjenjave, të mësuarit, të motivacionit etj. janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, pra varën njëra nga tjetra dhe ndikojnë në njëra tjetrën.

Individi, duke kaluar nëpër këto procese psikike, gjatë periudhave të ndryshme të jetës, formon veti të caktuara personale. Duke i vërejtur këto veti gjatë aktivitetit të individit, ne vërejmë mënyrën e veçantë të sjelljeve, që është karakteristike për të. Këto veti karakteristike, mënyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve të njerëzve dhe të çdo individi, si manifestohen, si zhvillohen dhe nga cilët faktor varën ato, i studion Psikologjia e personalitetit.

Sikurse të gjitha funksionet psikike, edhe personaliteti e ka bazën e vetë biologjike, sepse çdo njeri lind me karakteristika trashëguese të caktuara. Edhe pse faktorët biologjik kanë rëndësi të posaçme për zhvillimin e personalitetit, janë vetëm bazë e nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të tij. Rol vendimtar luajnë faktorët e rrethit, e para se gjithash, faktorët social. Prandaj edhe theksohet se personaliteti është dukuri, jo vetëm psikologjike, por edhe sociale. Kushtet sociale, e para së gjithash aktivitetet me njerëz, janë të domosdoshme për t’u zhvilluar individualiteti njerëzorë në qenie humane, pra në qenie e cila ka karakteristika, që i përfillim si karakteristike njerëzore.

Numri i faktorëve, si ndikim në bazën e dhënë biologjike për formimin e cilësive të personalitetit, është mjaft i madh si: ambienti dhe kushtet familjare (në të cilat rritet fëmija), shkolla, moshatarët, mësuesi, të njohurit, organizatat dhe shoqëria në të cilat ai është anëtar, dhe roli që ka në to, literatura dhe filmat, bashkëshortësia dhe marrëdhëniet bashkëshortore, profesioni dhe suksesi në këtë profesion, pozita sociale, kultura në të cilën rritet dhe jeton, sistemi shoqëror i bashkësisë etj. etj.

Zhvillimi i personalitetit ndahet në katër perioda: mosha e fëmijërisë, e rinisë, e pjekurisë dhe e pleqërisë.

Shumë ekspertë të psikologjisë mendojnë, se rol vendimtarë për formimin e cilësive të personalitetit luajnë kushtet e jetës familjare në ditët e para të fëmijërisë. Studimet kanë treguar, se kushti më i mirë për zhvillimin e personalitetit të pjekur dhe të shëndosh, është qëndrimi i përzemërt dhe i ngrohët i prindërve, por edhe njëfarë rigoroziteti në evitimin e pasojave të pakënaqshme të reaksioneve tek fëmijët.

Moment tjetër i rëndësishëm për zhvillimi e cilësive të personalitetit është edhe fillimi i parë shkollor, që përbën një ndër bazat shumë të rëndësishme në zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të mëvonshëm të individit. Ardhja e fëmijës në shkollë, është ardhje në një rreth të ri, me kërkesa të reja, dhe me më shumë obligime, në të cilat ai duhet të gjendet, pasi ato ndryshojnë dukshëm prej kërkesave familjare me të cilat ai është mishëruar. Gjithashtu, rol me rëndësi në këtë periodë luan edukatori, mësuesi ose pedagogu. Mësuesi, si edhe prindërit paraqesin modelin, në të cilin fëmija merr shembull. Me sjelljet, veprimet, gjestet, qëndrimet etj. ata i japin kahjen e mëtejme fëmijës, drejt formimit të cilësive të personalitetit.

Perioda tjetër, shumë e rëndësishme është mosha e rinisë, e cila karakterizohet me dy momente: Zhvillimin fiziologjik dhe zhvillimin social.

Në zhvillimin fiziologjik bie në sy rritja e gjatësisë së trupit dhe shtimi në peshë; paraqitja e karakteristikave seksuale dhe disa kriza psikologjike në lidhje me këtë moshë etj. Ndërsa në zhvillimin social, paraqiten interesime dhe qëndrime të reja mbi jetën; zhvillohet ndjenja e vetëdijes dhe nevoja e pavarësimit, si dhe formohen pikëpamje mbi çështjet e rëndësishme shoqërore etj.



Për kapërcimin e kësaj periode, e cila është e mbushur me trauma e probleme të ndryshme psikike e fizike, dhe për marrjen e kahjes vendimtare drejtë cilësive të qëndrueshme të personalitetit (qoftë pozitive, apo negative), ndikim parësor luajnë: faktorët e fëmijërisë së hershme, qëndrimet e prindërve dhe edukatorëve, pikëpamjet dhe normat shoqërore si dhe shumë faktor tjerë social.

Nga zhvillimi i faktorëve të sipërpërmendur varet edhe perioda tjetër vijuese - mosha e pjekurisë. Kjo periodë zgjat deri në moshën 50 vjeçare, dhe përbën periodën më të gjatë në jetën e individit. Në këtë periodë bëhet edhe zgjedhja dhe zgjidhja e problemeve më rëndësishme për jetën e njeriut, si: zgjedhja e profesionit, formimi i koncepteve mbi jetën, martesa dhe krijimi i familjes, që ngrit ndjenjën e përgjegjësisë dhe i jep jetës kuptim më serioz në vazhdimësinë e formimit të mëtejmë të cilësive të qëndrueshme të personalitetit. Në këtë periodë, individi krijon koncepte të qëndrueshme për dukuritë e përgjithshme, pavarësisht të çfarë drejtimi janë ato, prioritare apo herezike, të përputhshme me logjikën e shoqërisë apo jo etj., dhe e ka shumë të vështirë që t’i ndryshoj ato koncepte.

Perioda e fundit është mosha e pleqërisë, e cila fillon nga vitet e 50-ta, dhe karakterizohet me personalitet të qëndrueshëm, në kuptim të plotë. Studimet e fundit kanë treguar se në moshën e pleqërisë, aktivitetet psikike zvogëlohen shumë pakë (ose aspak), në krahasim me ato fizike. Kjo dukuri ndikon në psikologjinë e të moshuarve. Pasi ata nuk janë në gjendje të kryejnë aktivitete fizike, deri sa ato psikike i kanë aktive, fillojnë të tërhiqen në vetvete, largohen prej ambientit dhe e ndiejnë vetën, herë-herë si të tepërt në shoqëri. Pra, këtë moshë e karakterizon personaliteti i mbyllur (mbyllja në kornizat vetjake). Prandaj është shumë i nevojshëm angazhimi i shoqërisë dhe qëndrimi konstruktiv ndaj personave në këtë moshë.

Nga kjo analizë që e bëmë më lartë, mund të konkludojmë se zhvillimi i cilësive të qëndrueshme të personalitetit varet nga shumë faktorë. Këto cilësi karakterizojnë, personalitetin ose karakterin e individit, ndërsa bashkimi i individëve indigjen, formon shoqërinë (kolektivitetin) e që ne e quajmë KOMB. Kjo do të thotë, se pasqyrimi i karakterit individual është edhe pasqyrim i karakterit kolektiv, pra pasqyron sjelljet, zakonet, vlerat kulturoro-artistike, inteligjencën etj, të një kombi. Prandaj edhe lind pyetja: sa i njohim dhe sa merremi ne shqiptarët me këta faktor për kultivimin e një shoqërie me personalitete të shëndosha?

Gjurmimet e shumta rezultojnë, se edhe roli i historisë, kushtet e veçanta të zhvillimit, tradita, zakonet e doket e një shoqërie, paraqesin faktor të rëndësishëm në formimin e personalitetit. E dihet shumë mirë rrjedha e historisë së popullit tonë. Prandaj edhe mund ta justifikojmë të kaluarën, duke mos hyrë në detaje për faktorët sfidues drejt zhvillimit intelktual, sepse na duhet një hapësirë shumë e madhe për analizimin e asaj periudhe...Por a mund ta justifikojmë të tanishëm? Sot kur mburremi me të arriturat tona në artë, kulturë, shkencë; sot që kemi sa e sa universitet, shoqërore e private, kolegje të vendit e të huaja duke filluar nga shteti amë, në Shqipëria e deri edhe në diasporë; sot që kemi aq shumë doktor shkencash, magjistra e akademik; sot që botojmë aq shumë libra, gazeta e revista; sot që kemi qeveri demokratike; sot që kemi të realizuar edhe ëndrrën shekullore, pavarësinë e Kosovës; sot që më së shumti merremi me vetveten...E më së paku u japim rëndësi çështjeve edukative, etike e psikologjike të brezit të ri, brez që do jetë pasqyrim i ardhmërisë së kombit.

Ja një analizë e shkurtër në këtë drejtim pas viteve të 80-ta. Me suprimimin e organeve më vitale të saj nga Beogradi, Kosova kaloi nën okupim klasik. Në planin diskriminues të pushtuesit, pikë qëndrimi kryesor (jo pa qëllim) ishte arsimi, mbyllja e shkollave. Shkolla si institucion edukativ si qëllim kryesor ka: zhvillimin e cilësive pozitive, cilësi që i konsideron si të nevojshme dhe të domosdoshme, si për individin ashtu edhe për shoqërinë; të formoj botëkuptimet e caktuara shoqërore dhe qëndrimet e caktuara sociale etj. me një fjalë, zhvillimin intelektual të individit; të pengoj zhvillimin e cilësive negative, që dëmtojnë vetë individin dhe që shkojnë në kundërshtim me etikën e moralin e shoqërisë. Prandaj, me mbylljen e shkollave, pikërisht u atakua ky zhvillim. Rinis ju mbyll perspektiva, ju mbyll ardhmëria.

Të ballafaquar me kriza të ndryshme rinore, duke mos parë perspektivë në horizont dhe me qëllim të shmangies së shërbimit ushtarak nëpër kazermat e okupatorit, një pjesë shumë e madhe e kësaj shtrese braktisën vendlindjen dhe shtegtuan drejt Perëndimit, me shpresë për ditë më të mira.

E siç dihet, kjo është një ndër periodat më vendimtare në formimin e cilësive të qëndrueshme të personalitetit, nga e cila edhe varet ardhmëria e individit. Pa mbështetje institucionale, në pragun e thyerjeve të mëdha shpirtërore, në mesin e një shoqërie me sjellje, zakone e botëkuptime tjera, pa koncept të qartë mbi ardhmërinë e jetës, kjo rini assesi nuk mund të krijoj veti të drejta e të qëndrueshme të personalitetit, përkundrazi, kjo do goditet rëndë nga çrregullimet e ndryshme të personalitetit, do të pësoj enervacion, që do e përcjell pas gjatë gjithë jetë. E aq më tragjikë bëhet fakti, se kjo rini, këta individë, më vonë, do të bëhen prindër, vetit psikike të të cilëve do të përcillen në njërën apo tjetrën formë, me dije apo pa dije, me dashje apo dashje... edhe tek fëmijët e tyre, e që në instancën e fundit do të mund të ketë ndikim negativ në formimin e personalitetit të trashëguesve, sepse prindi për fëmijën paraqet modelin, me të cilin fëmija identifikohet dhe të cilin e imiton.

Pastaj tmerret e luftës hapën plagë të reja dhe të thella në shpirtin e pothuajse çdo shqiptari. Dhuna dhe terrori që u ushtrua masovikisht, pa përjashtim moshe e gjinia, peshoi akoma më shumë barrën, tanimë të stërngarkuar psikike e fizike, të këtij populli të shumëvuajtur. Gjithashtu, edhe situata pas lufte, nuk rezultoi ashtu siç e kishte ëndërruar shumëkush! Mungesat e shumta socialo-ekonomike, sidomos papunësia, nuk i lehtësuan traumat e llojeve nga më të ndryshmet, por i shtuan edhe më problemet e jetës, duke i ballafaquar njerëzit me sfida të reja.

Si rezultat ai gjithë këtyre faktorëve, nën trysnin e të cilave individi vazhdimisht ndodhet, pasojnë edhe konfliktet e brendshme shpirtërore. Ndonjëherë konfliktet janë të llojit të atillë që provokojnë vetëm simptome neurotike, por ndonjëherë konfliktet janë të tilla që paraqesin rrezik edhe për neuroza serioze, bile në raste ekstreme, edhe psikoza reale, të cilat në psikiatri njihen me emrin, çrregullime psikike, disiplinë e së cilës është edhe çrregullimi i personalitetit.

Ka shumë forma të çrregullimet të personalitetit, por ne po i përmendim disa më të rëndësishmet, të cilat koincidojnë me shkrimin.

A- Personaliteti jostabil: - E karakterizojnë emocionet jostabile të theksuara dhe ndryshimet e shpeshta të disponimit. Në çdo humbje të vogël ose frustrim, personi mund t’ia plasë vajit. Nga kjo gjendje shumë lehtë mund të kalojë në gjendje mllefi e tërbimi. Emocioni tjetër, i cili lehtë mund të provokohet, është frika. Humbja më e vogël e sigurisë provokon frikë. Në situata të streseve këta persona nuk janë të aftë të reagojnë.

B- Personaliteti eksploziv: - Nuk e ka kontrollin e duhur ndaj mllefit dhe tërbimit. Vetitë që e karakterizojnë këtë tip janë: Ekspolziviteti, rrëmbimi, tërbimi, hidhërimi, shkarkimi i shpejtë i emocioneve, gjaknxehtësia, sugjestibiliteti si dhe ndryshimi i shpejtë i disponimit.

C- Personalittei astenik: - Gjatë tërë jetës pasqyron humbjen (dobësimin) e energjisë, lodhjen dhe rraskapitjen. Ai ndihet gjithnjë i lodhur dhe tregon humbje të interesimit, entuziazmit dhe pasionit.

D- Personaliteti shizoid: - Është i turpshëm, i trembshëm e frikacak. I shmanget aktivitetve sociale dhe kontakteve me persona tjerë. Nuk mund ta shpreh agresivitetin dhe tërbimin, prandaj fantazinë shpesh e shfrytëzon si mekanizëm sulmues dhe mbrojtës. Përmbajtjet i ka stereotipe etj.

E- Personaliteti i kufizuar: - Karakterizohet me jostabilitetin e shumë funksioneve psiksike e posaçërisht me jostabilitetin e disponimit, të marrëdhënieve interpersonale, të sjelljeve, të mendimeve dhe të marrëdhënieve ndaj vetvetes (çrregullimi i identitetit). Çrregullimi i identitetit manifestohet me pasigurinë e elementeve të identitetit siç janë: vetëdija, identiteti seksual, caqet afatgjata të jetës, zgjedhja e profesionit, marrëdhëniet në shoqëri etj...

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka zhvillimi i drejtë i cilësive të personalitetit të individit (që është baza e shoqërisë), shpresoj se institucionet tona të reja, në shtetin e ri të Kosovës, do të angazhohet shumë më seriozisht në këtë drejtim, duke i shpërthyer kornizat e ngushta egocentrike të cilat na kanë ndrydhur dekada me radhë, dhe duke kontribuar sinqerisht në ngritjen dhe rritjen e vetëdijes kolektive, që është shumë e rëndësishme për ne si shoqëri, si komb dhe si shteti më i ri në Botë


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi