Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Shkenca Dhe Jeta «« » Shkenca & Jeta » Arma në laborator

Arma në laborator

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal Arma në laborator prej Sat Dec 27 2008, 08:10

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e

Duke punuar për albumin e shpatave me shkrime orientale që ndodhen në muzetë apo në koleksione private brenda vendit, mjeshtri i restaurimit, Frederik Stamati, e quajti të udhës që të përfshinte edhe një nga armët e Heroit Kombëtar. Atë që është quajtur "palla shtatshkurtër" dhe që ka mbishkrimin i përmendur si "osmanisht".

Që shpata të jetë pjesë e këtij katalogu dokumentar duhet t'i deshifrohet shënimi, nëse aty ka vërtet një "mesazh". I sapokthyer nga Vjena, nga puna kërkimore dhe laboratorike pranë Muzeut Historik të Artit (Kunschistorisches Muzeum) ku janë ekspozuar armët e Gjergj Kastriotit, Stamati pohon se nuk do të ngutet për të dhënë rezultatin e analizave laboratorike, sepse për të tani çështja e autencitetit të njërës prej armëve, nuk u takon historianëve.

Shumë nga këta janë për "adhurimin si relike të shenjta", ka fare pak të tjerë që dyshojnë për “shenjtërinë”. Njëri ndër ta të cilit Stamati, shef i Laboratoratorit të Restaurimit dhe Arkeometrisë, i referohet në këtë intervistë është dr. Dritan Egro. Më 2005 Egro hodhi publikisht dyshimin që mbishkrimi në shpatën shtatdrejtë nuk dëshmon t'i përkasë heroit. Nëse Frederik Stamati nuk është gati ta mbështesë Egron, është po aq, në mos më shumë dyshues se ai në këtë moment.

Për këtë arsye pritja e rezultatit të analizave laboratorike në Vjenë i ka shkaktuar emocion të vërtetë, më i madh se përshtypjet e shkollës në mësimin e historisë, kur mësuesi fliste për Skëndërbeun dhe për armët e tij. Ato janë emocione të vogëlisë, por sot e lexon historinë si një studiues.

Nuk është çudi që "thirrja" e Stamatit për fonde për të vazhduar studimin të merret si një "duam lekë", aq e zakonshme në çdo aspekt të realitetit të këtushëm.

Projekti i studimit dhe albumit të shpatave me shkrime orientale është miratuar në Qendrën e Studimeve Albanologjike që në prill. U miratuan vlera 600 mijë lekë - vlerë minimale - por nuk u lëvrua. As Ministria e Kulturës nuk e mbështeti.

Nëse institucionet qendrore do të ndiqnin një politikë prioritetesh, nuk do të kishte kaq "situata lypsare".

Pse ishte i nevojshëm studimi i armëve të Skënderbeut duke kaluar nëpërmjet laboratorit?

Duke shfletuar literaturën që trajton çështjen e armëve të Skënderbeut, vihet re një paqartësi në paraqitjen ose të veçantive të këtyre armëve. Kjo vjen besoj unë, ngaqë ata njerëz që kanë shkruar për armët, nuk kanë pasur rastin që t'i marrin në dorë dhe t'i shikojnë. Këtë rast e ka pasur studiuesi Dritan Egro i cili i ka marrë në dorë, ka punuar dhe e ka dhënë mendimin e tij.

Por...

Dhe ka konkluzionet e veta. Puna është që janë disa çështje, disa aspekte që nuk mund të jepen nga historianët apo të sqaruara prej tyre, sepse janë çështje të cilat ndiqen, zbulohen nëpërmjet shkencave teknike. Janë këto që, si të thuash, ndjekin këtë linjë të studimit. Për shembull shpata e ekspozuar në Vjenë, është apo nuk është damaskine. Dikush thotë po, dikush thotë që nuk është. Ose ndërmjet dy shpatave, herë i referohen për damaskine njërës shpatë dhe herë tjetrës.

Çfarë është një shpatë damaskine?

Një shpatë damaskine është një shpatë e cila në përbërje të saj ka një strukturë kristaline të caktuar, të krijuar nga mjeshtërit e prodhimit dhe nga gdhendja kimike që i bën në fund fare, i jep një sipërfaqe që i ngjan valëve të qeta të detit që sot quhet çelik ujor dhe jo damaskine.

Shpatat damaskine janë shumë të kushtueshme, janë armë luksi, që nuk mund t'i kishte kushdo. Ato prodhoheshin nga një teknologji tepër e komplikuar. Janë shpata të rënda. Ka pasur shpata damaskine të cilat ishin ceremoniale dhe tregonin ç'ishte në gjendje të bënte ai mjeshtri dhe këto nuk ishin për luftë.

Ato shfaqen aty nga shekulli IX dhe janë përdorur deri në fund të shekullit 19. Kjo është teknikë aziatike që i ka fillimet e veta, në Kinë, Indi apo Cejlon, pastaj ka ardhur në Persi dhe është marrë edhe nga turqit.

E vështirë të besojë lexuesi që ky kërkim nuk është i shtyrë edhe nga debate aktuale për "zhveshjen e mitit" apo jo.

Në studimin që po bëjmë për shpatat me mbishkrime në gjuhën orientale që kanë muzeumet dhe koleksionet private në Shqipëri ne menduam që aty të përfshinim edhe shpatën e Skënderbeut. Dhe kështu lindi kjo punë.

Në shumë shpata të fondit etnografik shkrimet u kishin rënë, dhe duheshin mbrojtur patjetër. Fillova punën nga vitet shtatëdhjetë. E pashë që nuk e përballoja dot. Pastaj iu ktheva në vitet tetëdhjetë për Muzeun Historik, por e pashë që përsëri nuk e përballoja dot, me gjithë avancimin që kishim në eksperiencë dhe në pajisjet e laboratorit.

Para gjashtë vjetëve iu riktheva edhe një herë për të ndërhyrë tek shkrimet. Është gjëja më e vështirë për të ndërhyrë në restaurim, sepse një gabim zhduk një dokument dhe shkrimet janë dokumentet më të rëndësishëm.

Para katër vjetëve kur shkova në Vjenë, e pashë shpatën në muzeum, e filmova, e fotografova dhe desha të di se ç'shkruan kjo shpatë. Njëkohësisht dija disa dyshime që kishin historianët në lidhje me armët. Me dyshimet për origjinalitetin e tyre jam njohur që kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar. Atëherë fillova përpjekjet për të bërë një deshifrim meqë do ta përfshinim në katalogun e shpatave dhe këtë ia çova për deshifrim studiuesit Frederik de Jong në Hollandë.

Por 2-3 ditë përpara se të vinte përgjigja, u botua në gazetën "Shekulli" shkrimi i Dritan Egros ku thuhet se ai mbishkrim nuk thotë gjë që shpata të jetë e Skënderbeut. Ai mbishkrim është i pakuptueshëm.

Ju jeni po aq dyshues sa Egro?

Kisha parë që kishte një mospërputhje midis cilësive të armëve të Skënderbeut, si i jepte një historian nuk i jepte një tjetër. Pastaj nga eksperienca ime me shkrimet nëpër shpata, më lindi mendimi që duhet ndalur tek ky shkrim nga pikëpamja e teknikave laboratorike për të parë nëse kishte ndonjë dëmtim dhe që të mund të rindërtohej nëse ky shkrim ekziston.

Ky ishte qëllimi pse unë përpara pak javëve, shkova në Vjenë në muzeun ku është ekspozuar. E mora shpatën në dorë, e pashë me mjete optike, mora një dokumentacion për të, që sot është në përpunim e sipër. Kanë dalë disa rezultate të cilat më ndërtojnë një rrugë që duhet të ndjek akoma në disa muzeume të Evropës për të dhënë konkluzionin përfundimtar.

Duhet të kërkoj në disa muzeume të armëve në Stamboll, në San Marino dhe në disa të tjerë në Evropë.

Çfarë analizash bëtë në Vjenë?

E shqyrtova nga disa pikëpamje. Mendoj akoma për disa shkrime të tjera. Gjatë përpunimit të rezultateve laboratorike më lindën disa pikëpyetje të cilat duhen ndjekur, duhen rishqyrtuar për të arritur tek e vërteta.

Çdo gjë që ka shpata, përbërjen, strukturën, dekoracionin, shkrimet, dorezën, këllëfin, është në studim.

Ç'pritet më shumë?

Ka shumë gjëra pa u thënë për shpatën por s'mund të flas para kohe për rrugën që do të ndjek për të vërtetuar gjithçka, qoftë pozitive, qoftë negative. Dhe nuk mund të flas pa e vërtetuar.

Si çdo kërkim ka një kosto, cili është roli i Qendrës së Studimeve Albanologjike, prej të cilës varet laboratori i restaurimit?

Nuk është ndonjë detyrë shtetërore që më është dhënë mua dhe udhëtimi që bëra është përballuar nga unë. Janë udhëtime të tjera për t'u përballuar që për një nëpunës si puna ime është e vështirë.

Është një kërkim që ka një kosto. Do t'i isha mirënjohës kujtdo që të financonte vazhdimin e studimit.

Elsa Demo


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi