Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Arti Dhe Kultura «« » Arti Dhe Letersia Shqiptare » "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ

"SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ

Shko tek faqja : Previous  1, 2

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 2 e 2]

1Normal "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:03

First topic message reminder :

ANAMNEZË BURGU


Emri i babait të pushkatuar

Histori luftë beteja gjak

Baba e breza

Kërkonin liri.

Jeta e shkrehur nëpër ferr

Burgu përroskë gjaku

Gjaku oqean nga lumi i kuq

As gurrat e përgjakura nuk shterën.

I burgosuri uron

Të mos i ndryshkën prangat

Shiko profilin e anëtarit

41Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:18

BËHEM FOTOSINTEZË DRITE


Kur të zë cunami i detit

Më thirr

Se bëhem digë prej guri

Mos të herrin furtunat.

Kur ke dhimbje

Bëhem loti yt

Në gjethet e trëndafilit

Fotosintezë drite bëhem

Kur të vriten gazi edhe loti

Më thirr të ta pushoj dhimbjen

Të ta shëroj harenë e djegur

Shiko profilin e anëtarit

42Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:19

DY KËNGË A DY LOT


Dy këngë

Për zogun në kafaz

Dy lule

Për vashën

Për gjergjefin e saj

Dy dhimbje

Për ty

Në burgun e pa thurur.

Dy mallkime

Për farën e keqe

Dy buzëqeshje

Për fillimin e dashurisë

Dy këngë

Shumë këngë

Asnjë pikë loti

Shiko profilin e anëtarit

43Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:19

UNË DASHUROVA


Cilën poezi t’ia them të dashurës

Nuk mund të digjem

Përditë për të si qiri i Naimit

Poetët e këtij shekulli

Me ngrohje globale

Shkruajnë për ata që s’vdiqën

E vashave u japin lule

Nëse i gjej poetët

Do t’u mësoj një elegji

Për pavdekësinë e dashurisë

Që të mos vajtojnë kurrë

Që të mos vdesin kurrë

Shiko profilin e anëtarit

44Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:19

MË AFËR DIELLIT


A po nisemi

Në fundin e deti të shterur

Aty do t’i shohim

Mëkatet e thella te botës

A po nisemi

Deri në majat e Mont Everesit

Sa më afër diellit

Të kemi më shumë dritë

Shiko profilin e anëtarit

45Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:20

VASHA ME GËRSHETA


Kur i lidh flokët gërsheta

Më duket se ylberi zbriti

Në sytë e mi të etur.

Nëpër fushën me lule

Më dukesh balerinë

Në skenën e blertë

Dashuri tinëzare.

Nëse ik përtej detit

Me varkën time të thyer

Do t’i mundim valët

Me këngën kurorë dashurie

Shiko profilin e anëtarit

46Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:20

E DASHUR S’ PO TA GJEJ

AS VARRIN


Nuk jam Ago Ymeri

Me nishane në krah

Jam djegur zjarreve

Edhe sytë e dritës i fali

Ta ruaj dashurinë

Për ty.

Nuk jam Bestari

Që m’i trembe gjarpinjtë nga plagët

Ta dhashë besën se kthehem

Por u bëra darkë e dreqit

Dhe humba skutave

Derisa i mblodha për ty

Do lulebore.

Me nishane e shputa

Të djegura u ktheva për ty

Por s’po ta gjej as varrin

E dashur

Te guri i ndarjes

Ndez kandila drite në erë

Të ma bëjnë

Pak dritë të syve

Për kthimin


E unë prapë

Erdha nëpër terr

Me hartën e grisur

Pëllëmbë për pëllëmbë

Të kërkova në çdo skutë

Kur e gjeta varrin tënd

T’i lashë do lule të bardha.

Shiko profilin e anëtarit

47Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:20

EJA


Eja

Nëpër tymin

E shpirtit tim që kallet

E ma lidh plagën

Me një gjethe trëndafili.

Eja

Edhe nëse jam e vdekur

E harruar

Zemra- zemrës i flet

Në emër të dashurisë

Eja

Edhe nëse nuk më njeh

Të plagosur nga vetmia

Në shtratin tim të dhimbjeve.

Kur dola bregut të lumit

Portreti yt

Ishte bërë pikturë në valë

Shiko profilin e anëtarit

48Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:21

DY


Dy

Këngë

Për zogun

Në kafazin prej hekuri.

Dy

Lule

Për vashat e malësisë

Në vegjë kur tjerrin dashurinë

Dy lot

Për ty

Në burgun e ndryshkur.

Dy këngë

Dy lule

Dy lot

Për ty malësore

Që ik me buzëqeshjen e kallur

Për mua që presë

E qaj për ty

Shiko profilin e anëtarit

49Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:21

VETMI


Kur të pashë

As s’të thirra në emër

As s’më shikove në sy

E kishe pas shaluar atin pa fre

Unë ika

Dola pas shkëmbit

Për ta kërkuar

Humbjen time shkretëtirës

Shiko profilin e anëtarit

50Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:22

PA TY


Pa ty

Kënga e zogut

Më duket vaj kukuvajke

Shpirti sa nuk pëlcet në heshtje

Yjet duken si plagë të përgjakura.

Vullkan në shpirtra

Magma e kallur shpërtheu

E unë

Një copë guri në shkretëtirë.

Nuk e di

Me cilën ngjyrë

Ta ngjyrosi vetminë.

Të kërkova

Te Drini i Bardhë

Në ujin e tij si loti

Shpirti i vrarë nga dhimbja

M’u bë dallgë

Herë Zogë

Herë qyqe rremi

Duke pritur

Të ktheheshe nga harrimi

UNË E TI


Në teatër

Shfaqej tragjedia e Trojës

Unë dhe Helena

Veshur me vello prej tymi.

Spektatorët vinin

Me nga një lule në duar

Varret prej hirit t’i mbulojnë

Me blerimin e kallur

Nuk e di pse

Në aktin e parë

Vritem unë

Në aktin e fundit

Ringjallet Helena.

Zjarre

Pak hi nga ti

Pak shkrumb nga unë

Portret prej flake Troja.

Shiko profilin e anëtarit

51Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:22

SONTE


Në pentagramin

E Himnit të Flamurit

Notat e krenarisë

Heqin vallen e re.

Sa e gjatë

Nata dhe terri

Nëpër dritë

Më mirë

Shihemi sy më sy

Shiko profilin e anëtarit

52Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:22

TRE KANDILAT E NDEZUR


Kur niset mërgimtari

Në Lëndinën e Lotëve

E puth një gur

Dhe ndez kandilin e parë

Kur nëpër valë deti

Dridhet varka e lundrimit

Në rrashtën e guacës së djegur

Ndez kandilin e dytë

Kur i thonë mbahu

I mërzitur ofshan tri herë

Dhe ndez kandilin e tretë

Kur niset mërgimtari

E kujton kthimin

Me lindjen e diellit të ri

Shiko profilin e anëtarit

53Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:23

DHIMBJET E PËRFLAKURA


Në shpirtrat e trazuar

Thyhen epruvetat e dhimbjeve

Dhe aty luhet

Himni i jetës pa lot

Diku në teatrin e vjetër

Luhet premiera e tragjedisë

Mos u tremb

Nëse përgjaken aktorët

Që në aktin e parë

Shiko profilin e anëtarit

54Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:23

SHPIRTI I DJEGUR


Ka kohë që eci

Buzë lumenjve të shterur

Jam shtangur nëpër

Udhët me kalldrëme të shembura

Rajna bën zhurmë

Dallgët trembin peshqit

Te Drin i Bardhë i lava sytë

Në Detin e Zi varka mu bë copë-copë

Shpirtit të djegur edhe përtej brigjeve

I dëgjohen klithmat

Shiko profilin e anëtarit

55Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:23

DALLGË


I trazuar

Liqeni i Prespës,

Desha dallgët

T’ia thyej me supe.

Nëpër fushat plot lule

Nisa lojën me flutura

U bëra pelin

Dhimbja në fytyrë

Ma skaliti pikëllimin.

Kur të bashkohemi

Ti nga Lagja e Gurit

Unë nga Bregu i Diellit

Rritemi duke u shikuar në sy

Shiko profilin e anëtarit

56Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:24

DYLUFTIM ME DJALLIN


Sa shumë ke lëpirë

Pjata të xhelatëve

E sot

Në udhën me gurë

Rave në gjunjë

Tradhtinë e pagëzove gabim

Herë me kokë në dhe

Herë me duar për mëshirë

Të shikova si langoin e zgjebosur

Ta shava djepin e pragun

Dhe si me inat buzëqesha

Unë eca në udhën e dritës

Ti mbete qen bir qeni.

Shiko profilin e anëtarit

57Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:24

TOKË E QIELL ME EMËR


Shqipëri

Tokë e qiell e det.

Orkestër

Me daulle në Çamëri

Me lahutë në Vlorë

Me kavall në Guci

Me dirigjent në Prizren

Me solist në Tetovë

Me flamur rreth e rrotull planetit

Aty ku bukës i thonë bukë

E ujit ujë

Denbabaden është Iliri

Mbuluar me prush betejash.

Shiko profilin e anëtarit

58Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:24

TRISHTIM


Kur e preve në besë

Të zuri trishtimi

U verbove në të dy sytë

Kur e vrave

Dashurinë e fshatares

T’u shter zëri

Me duar nuk flitet

Të paska zënë trishtimi

Kurrë mos thyej besë

E paguan me dritën e syve.

Shiko profilin e anëtarit

59Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:25

BUZËQESHJET E SKAMNORES


Blerinës në blerimin e kallur

I fala një luledielli

Më uroj

Për dritën e syve.

Kur ia dhashë një laps

E pikturoi diellin në lindje

Sikur u ngrohë

Dhe buzëqeshi.

Një brushë dhe një letër ia dhashë

Sa bukur i pikturoi

Një qepë dhe kripë deti,

Një bukë misri të pjekur në prush

Shiko profilin e anëtarit

60Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:25

BIOGRAFIA E DHIMBJES


Kur isha i vogël

Thonë se kam qarë shumë

I rritur

Nuk mbaj mend kur qesha

Gjatësinë e trupit

E mati me një dru të thatë kaçe

Me të e mati edhe varrin

Peshën e di

Sa një gur vendlindje

E kam

Mos më pyesni

Për biografinë time

Se jam duke lundruar

Me varkën e Titanikut

Shiko profilin e anëtarit

61Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:25

Le të thyhen digat

Le të gurgullojnë valët

Lë të kthjellen gurrat.





Le të thyhen digat

Le të gurgullojnë valët

Lë të kthjellen gurrat.

Shiko profilin e anëtarit

62Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:26

KUR


Kur zogu

Në vend të këngës gjëmoi

M’u kujtuan plakat e lagjes

Kur klithnin të habitura

Kiameti s`është larg.

Kur u dogj kulla

Oxhaku mbeti deri te retë

Kjo është formula e rritës thashë

Kur e dashura

Hoqi unazën me dhëmbë

Dhe e vari në degën e qershisë

Heshta nga dhimbja e ndarjes.

Por kur ma prekën

Gjeografinë e truallit

Shtat e hi ia fala dritës

Shiko profilin e anëtarit

63Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:26

MË PRISNI


Si gjarpër i plagosur

Zvarritet treni i ndryshkur

Në stacionin e parë

Zbriten nxënësit e shkollës ”Liria”

Malësori me shallin kuq e zi

Të lidhur rreth kësulës

Dëgjonte këngën

”Thërret Prizreni mori Shkodër”.

Nga malet e Çiçavicës

Zbriten të gjithë

Me kobure me brez

Më prisni edhe mua

Ushtonte mali e fusha

Shiko profilin e anëtarit

64Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:26

DASMA NË MALE


Në dasmën në male

Nuses në vend të unazës

I dhurohet flamurin me shqiponjë

Dhëndrit në vend të puthjes së parë

I dhurohet një kobure

Martesa në male

Muzikën e ka batare krismash

Vallja e përflakur

Është fitore e betejës së re

Nusja dhe dhëndri

Bashkë në dasmën në male

Bashkë në dasmën e luftës

Bashkë në lapidarin e lirisë

Shiko profilin e anëtarit

65Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:27

BARIU ME DELE


Sa herë e harroja fyellin

Te Kroi i Gurit

Dhe ujkun s’mund e trembja

Kur ma mori ogiçin.

Qengjat blegëronin

Shiko profilin e anëtarit

66Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:27

ZOGJTË E IKUR


Kur të ikin zogjtë

Rozafa do ta shkruaj

Biografinë e gurit

Gurgullimën e gjirit krua

Shushurimën e gurrës qumësht

Duke kërkuar shqiponjat e trembura

Në filmin “Hi e gjak”

Aktorja mbledh fëmijët

E vrarë mbetet shpresa

Toka Dardane me pesë

Nishane të kuq

Kur të ikin zogjtë

Do të eci rreth e rrotull

Gjeografisë së tokës sime

Shiko profilin e anëtarit

67Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:28

NË MËRGIM


Një buqetë lule dielli kërkova

Vajza me buzëqeshje më tha

Vyshken shpejt

Merri këto ferra të freskëta.

Kur e kërkova një bukë

Gruaja që e shikonte

Akuariumin e peshqve më tha:

Mbaj dietë

Se të prishet bukuria

Kur kërkova ujë

Djaloshi me flokë teh thike më tha:

Shko nën strehë e mblidh shiun

Nën urnën e dhimbjes

Vdekja gërryen pahetueshëm

Biografinë tënde

Më thotë gjithmonë

Dikush këtu në mërgim

Shiko profilin e anëtarit

68Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:28

DURRËSI


Te shkëmbi i Kavajës

E vura kokën mbi gur

Më ranë dy lot

Shkëmbi ma dha

Ngrohtësinë e Nënës

Mëmë e bir

Skalitëm hartën e mëmëdheut

Duke ecur

Në evolucionin e përflakur .

Pushova

Nën pishat e blerta

Kur ecja nëpër rërë

Mbeteshin gjurmë të reja

Shiko profilin e anëtarit

69Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:28

PRITJA NËPËR FURTUNË


Furtuna shkulte edhe lisa

E unë të prisja

Duke m’u rrokullisur lotët

Në pentagramin e rrudhave.

Nuk me duhet kamertoni

Ta akordoj vajin e mallit

Më mirë të isha Rozafa

Krua që nuk shter

Më mirë guri të isha.

Më mirë të ishe zog a dallëndyshe

Që kur të vije nga shtegtimi

Kishe pushuar e prehur

Në supet e mija prej guri.

Shiko profilin e anëtarit

70Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:28

SYRI PA DRITË


E paskam shkelë

Çerepin ku nëna gatuante bukë

Dhe nuk paskam thënë falem o Zot

U mbështeta në gurin futë të oxhakut

Dhe bërtita deri në kupë të qiellit

Mësoje anamnezën e sëmurjes time:

Jam verbuar mbrëmë

Nënë, moj!.

Shiko profilin e anëtarit

71Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:29

MOLLA E KUQE


Mollës së kuqe

Ia prenë pesë degë

Dallëndyshet thurin foletë më lartë

I ngrohin puplat nën diell

Zogjtë këndojnë simfoninë e fundit

Kur i bien gjethet mollës së kuqe

Më zë dhimbja

Për blerimin e vyshkur.

Një nga një i ruaj në shportë

Dhe tërë dimrin

Lutemi bashkë

Për pranverat e reja.

Shiko profilin e anëtarit

72Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:29

MOS MA OPERONI PLAGËN


Kirurgu merr skalperin

Ma bën me kokë

Që t’i mbyll sytë e dritës.

Pasi heshta pak

Buzëqesha nëpër krismë dhëmbësh

Opiumin e lashë varë

Në kapilarin prej gome

Mos ma operoni plagën

Pëshpërita ngadalë

Kur hyra në atelienë time

Në sytë e Mona Lizës pashë lot

Kirurgun e paska zen opiumi

S`ka lojë me trupin me plagë

Kështu jetova që një shekull

Shiko profilin e anëtarit

73Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:29

TRI KOHË


Koha e parë:

Te molla e egër

Nëna korrte grurë

Dhe lutej t’u bie epidemia langonjve

Të mos na e grabisin bukën e re.


Koha e dytë:

Dasmat ktheheshin në vdekje

Këmishët në flamuj gjaku

Liria s’shihej nga terri.

Të burgosurve ua hapnin qelitë

Ata nuk dilnin

Sepse nuk shihej drita

Koha e tretë:

Bishat e Karpateve me dhëmbë ujku

Me bishta ndër këmbë u kthyen

Dhe fituan trashtë e surles

Ende po lehin të uritur

Shiko profilin e anëtarit

74Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:30

UDHËTIMI NËPËR NATË


Në një udhëtim nëpër natë

Pashë e çka nuk pashë

Te liqeni i vogël

Dëgjoja krrokatje zhabash

Në baltën e terur në breg

Gjarpinjtë pritnin viktimën

Të rrahet e rrapeve

Kuja e dhelprave thyente heshtjen

Para e pranë shpellave

Pupla zogjsh e flatra të dallëndysheve.

Nëpër livadhet e thata

Disa kuaj pa fre

Lodronin me patkonj prej hekuri

Dhe m’i thyenin lulet e para.

Kulla ime

Me oxhakun deri te retë

Dëshmon qëndresën dhe rri

Pranë diellit për dritë.

Shiko profilin e anëtarit

75Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:30

E DI SE JAM VONUAR


Eja me kohë biri im

Më thoshte nëna

E unë

E nisja lojën me flutura

Dhe s’e mbaja fjalën.

Kurrë mos ec nëpër natë

Territ nuk i zihet besë

Më thoshte

E di

Nënë e di

U vonova

Sepse i shkrova pak vargje

Për ty dhe për dritën

I thosha asaj

Sa herë vonohesha

Shiko profilin e anëtarit

76Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:30

UDHA PA EMËR


E mora

Udhën e kthimit

Me hartën e vjetër në dorë

Por s’e gjeta tokën time

E kërkova në arkivin

Me mure prej guri

Numrin e shtëpisë sime

Më çuan te një raft

Vetëm hi kishte.

Në stacionin modern

Krejt prej qelqi

E bleva hartën më të re

Aty e gjeta shtetin më të ri

Me gjeografi të përgjakur

Shiko profilin e anëtarit

77Normal Re: "SHTIGJET E DRITES"LIMAN ZOGAJ prej Sun Nov 01 2009, 00:31

SHËNIME PËR AUTORIN



Liman Zogaj lindi më 1960 në fshatin Lladroc të Kosovës. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme - Drejtimi biologji-kimi, e mbaroi në Ferizaj. Ka studiuar letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin filologjik në Universitetin e Kosovës në Prishtinë.

Me krijimtari letrare filloi të merret që nga shkolla e mesme, duke i botuar krijimet e tij në “Rilindja”,”Bota e Re”, “Zëri i Rinisë”, si dhe në faqet e gazetave dhe revistave të tjera. Poashtu ka botuar shkrime poetike edhe në revistat e gazetat e kohës në Shkup, Shqipëri, etj.

Liman Zogaj shkruan: poezi, pjesë teatrale, por merret edhe me gazetari dhe regji. Tekstet teatrale dhe regjit e bëra nga ky krijues janë interpretuar dhe janë shpërblyer në festivale serioze teatrale në Kosovë.

Që nga viti 1983 jeton, punon dhe krijon në Gjermani, ku ka themeluar dhe ka udhëhequr vatra kulturore të mërgimtarëve tanë në: Shvelm, Enepetal dhe Essen, për ta begatuar jetën kulturore për shqiptarët e mërguar. Tani është viti i katërt që Liman Zogaj aktron në Teatrin Gjerman në Essen.

Krijimet poetike të tij janë prezantuar në antologjinë poetike ”Metafora e arratisur” e botuar në Tiranë më 2003, si dhe në antologjinë “Asht e gjak Arbërie”, botuar në Gjermani në vitin 2007.

Liman Zogaj deri tash ka botuar librin me poezi “Kosovë nuk ta mora diellin”, Tiranë më 2007.

Përmbledhja poetike “Shtigjet e dritës” është libri i dytë i këtij autori

Shiko profilin e anëtarit

Sponsored content


Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 2 e 2]

Shko tek faqja : Previous  1, 2

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi