Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Diskutime Të Ndryshme «« » Çështja Kombëtare » Flamuri Kombëtar

Flamuri Kombëtar

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal Flamuri Kombëtar prej Fri Apr 06 2007, 04:53

Tini

avatar
Webmaster & Admin
Webmaster & Admin
Flamuri Kombëtar








Flamuri Shqiptar konsiderohet ndër flamujt më të vjetër të popujve evropian.
Shumë historianë flamurin e sotëm shqiptar me shqiponjë dykrenare I japin disa kuptime.
Shpjegim më të mire ka dhënë studiusi Jaho Braho në librin e tij "Flamuri I kombit Shqiptar". Enigma e zanafillës së shpiponjës dykrenare që shpalos tek populli ynë është trashëguar nga kohët e hershme me besimet e kultin për këtë shpend.
Shqipojën dykrenare shpjegohet që e kishin paraardhësit tanë qysh në kohën e bronzit dhe që shfaqet në kulturen arkeologjike në perdhën e kekurit (mijëvjeçarit e pare p.e.r.)
Ky studijus është bazuar kryesisht në strukturat shpirtërore e materiale të krijuara ndër mijëravjeqarë, nga populli ynë dhe janë ruajtur dhe trashëguar po nga kultura materijale në hajmali, ornamente, në qendisje tekstile popullore e gdhendje në gur. Ai shpalos një hulumtin të pultit të shqiponjës, tek parailirët (pellazgët) dhe tek ilirët. Kjo është parë në anë të shumë diciplinave shkencore, si arkiologjia, etnologjia, mitologjia shqiptare, thënie të shkrimtarëve të vjetrë te Greqisë së lashtë e të Romës dhe është gjurmuar në studimet e mëparshme. Gjithashtu ai i kushtohet vazhdimësisë së praktikimit të flamurit kombëtar shqiptar, që nga 2 Marsi i vitit 1444 e deri në ditët tona në vazhdimësi. Nga studimet dhe botimet e derisotme për vazhdimësinë e njohjes dhe praktikimit të vazhdueshëm të flamurit, mbizotëronte mendimi, që aji ishte harruar në shekujt e gjatë të pushtimit osman. Si rezulutat i gjurmimit në pasurinë tradicionale dhe të dukumentave të shkruar për popullin tonë dhe për të tjeret është bërë e mundur veçimi dhe pasqyrimi, se qfarë mori nga kultura jonë Perondoria Bizantine për kultin e shqiponjës dhe hulumtime për simbolin e shqiponjës tek popujt e tjerë. Shqiponjën dykrenare e mori Bizantia nga kultura e kulti ilir për shqiponjën dhe më vonë e morën edhe shumë popuj tjerë, por ky simbol, që megjithëse ishte i ilirëve, më vonë u bë i disa princave, shteteve, e perandorive. Kjo në një kapitull të shkurtë është paraqitur duke ju referuar një literature të gjerë. Shumëherë dëgjohet nga historianë të ndryshëm se shqiponja dykrenare është marrë nga bizantët që bie ndesh me konstatimin e studiusit Braho.

Ka edhe pohime që shqiponja me dy krena është emblema që Konstandimi i Madh zgjodhi për të përfaqësuar Bizantinë, në kohën e ndarjes së perandorisë Romake në Lindje dhe Perëndim. Kjo është arsyeja që shqiponjën me dy krena e gjen në flajujt e gjithë vendeve të Lindjes, kryesisht atyre të besimit ortodoks. Konstandini i Madh qe një perandor romak me origjinë ilire sipas të cilit mori emrin edhe qyteti i Stambollit të sotëm që u quajt në atë kohë Konstandinopojë (qyteti i Konstandinit). Shqiponja fluturon më lart se çdo shpend tjetër dhe është e pamposhtur nga zogjtë e tjerë, pra për këtë në vetvete përbën krenarinë e një kombi. Ka pohime ë shpeshta se shqiponja dykrenare simbolizon Shqipërinë e Jugut dhe të Veriut, toskët dhe gegët. Zanafillën e flamurit gjer tani më së miri e shpjegon z. Jaho Braho, që me këtë studim ai konstaton zanafillën e traditës mijëravjeçare të shqiponjës dykrenaretek ilirët e në vazhdimësi deri në ditët tona.

Hidhet dritë mbi atë, që i dha Perandorisë Bizantine populli ynë dhe vërtetohet, se është populli shqiptar që e trashëgoj shqiponjën dykrenare tek bizantinët, dhe jo sikur është thënë deri sot, se ne shqiptarët e morëm nga bizantinët. Ndriçohet vazhdimësia e praktikimit të flamurit kombëtar shqiptar në vazhdimësi në pushtimin e gjatë osman dhe jo si është thënë deri më sot, se ai ishte harruar. Në periudhën që nga 28 nëntori 1912 deri më sot bëhet një kronologji e luftës dhe përpjekjeve të pandërprera për ruajtjen dhe shpalosjen e simbolit të shtrenjtë kombëtar nga gjithë popullsia shqiptare autoktone në Ballkan. Prej kohës së Skënderbeut e deri në shpalljen e pavarësis së Shqipëris në vitin 1912 flamuri shqiptar pothuajse ishte i panjohur për shqiptarët. Edhe për ringjalljen e flamurit jepen shumë variante. Një ndër to është fjalimi i Nolit për Konicën që ai e konsideron si zbuluesi i flamurit. Në fjalimin mortor të Konicës, Noli tha: " Nofta e dini që asnjë nga flamurët e fqinjve tanë ballkanikë nuk është më i vjetër se një qind e pesdhjetë vjet. Disa prej atyre nuk e kanë mbushur as qindin akoma. Flamuri ynë është të pakën 500 vjet i vjetër, dhe nofta disa qindra vjet të tjera përmi to. Është flamuri historik i Skënderbeut, kryetrimit kombëtar që luftoi njëzet e pesë vjetë me radhë kundër Turqve dhe ka qenë luftëtari i funtëm ne Ballkan, i cili ka përballuar Sulltanët më tëmëdhenj të Turqisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria, e nneveritur prej fuqive evropjane, ra nV duart e Turqve. Për katër qint vjet me radhë atdheu ynë ka rënkuar nënë zgjedhën e Sulltanëve. Në këtë periudhë Flamuri i Skënderbeut u harrua, dhe askush nuk e dinte që egzistonte gjer sa u zbulua prej një studenti të ri në historinë latinishte të kënderbeut prej Barletit. Ay student ishte Faik Konitza dhe atë flamur që ka qeverin flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare, na e ka zbuluar ay vetë pas një harrimi prej katër qind vjetësh".

Prej 1912 e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin përdorur disa lloje të flamujve. Sot shqiptarët kanë flamurin të ngjashëm me atë që ka përdorur Skënderbeu, me disa ndryshime të vogla.






Hymni kombëtar
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk friksohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në dorë armët do t'i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për te, për te luftojmë ne
.


Forumi aLbdigital
Shiko profilin e anëtarit http://www.albdigital.net.ms

2Normal Re: Flamuri Kombëtar prej Fri Jan 11 2008, 22:36

Ma-Origano

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Historia e flamurit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë
<hr style="COLOR: #cccccc" SIZE=1>Si e ka përjetuar shqiptari i shquar ngjarjen e bujshme të shpalljes së Pavarësisë kombëtare


Eqerem bej Vlora: E vërteta e flamurit

“Ismail Qemalit i kërkova flamurin që më fali Aleandro Kastrioti”


Eqerem bej Vlora, jep variantin e tij, për historinë e flamurit që u ngrit nga plaku Ismail Qemali, më 28 Nëntor të vitit 1912.

Ai thotë shprehimisht: “E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit, sepse vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”. Ja se çfarë shkruan Eqerem Bej Vlora në librin e tij.

Kthimi në Vlorë

Me t’u kthyer nga Kuçi, unë shkova menjëherë në shtëpinë e tim kushëriri, Xhemilit, për të takuar Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, shtëpia ishte kopje e zvogëluar e haramllëkut nuk kishte katër, por tri kate. Përmes derës ndërmjetëse hyra në katin përdhes ku ishin shkallët e mëdha. Oborri, sallat poshtë e lartë , shkallët ishin mbushur plot nga njerëz me fytyra, sjellje e veshje që nuk i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin në një vend, lëviznin lirshëm dhe pateklif sikur të ishin në shtëpinë e tyre. Në katin e sipërm ishte një sallon i madh i paijsur me mobilje të bukura të stilit bidermajer, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj njerëzit ngjesheshin e shtyheshin për të dëgjuar seç thuhej brenda. Unë ndalova për disa çaste për të përshëndetur një mori të njohurish dhe pastaj hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa mua m’u dhimbs. Kisha tre vjet pa e parë dhe tani m’u duk më i plakur dhe i drobitur. Ai vuante në këtë mjedis të ri dhe të huaj për të. Për vite me radhë Ismail beu kishte qenë nënpunës i lartë i administratës turke dhe vali, poste këto, kur largësia me të lartit dhe të ultit mbahej vetiu. Kështu, ai kishte rënë në një kaos kontrastesh shoqërore, të cilit nuk po ja gjente dot anën. Unë iu afrova i putha dorën me nderim dhe u ula pranë tij. Të paktën divanin, njerëzit që mbushnin hapsirën kishin pasur mirësinë t’ja linin. Ai më bëri pyetje të zakonshme: si ia çoja, ku ishte im atë a kishte hequr keq në Kuç me këtë mot të keq e kështu me radhë. Pastaj unë u ngrita për të ikur. Por, ai më mbajti dhe më pyeti me zë të ulët: “ dua të të bëj një vizitë. Është edhe te ty si këtu?” Unë iu përgjigja se po të donte të vinte tek unë, do të vija ta merrja vetë. “Jo, -tha ai. Xhemioli më ka thënë se dera ndërmjetëse është ende. Unë vij vetë.” Sidoqoftë edhe tek unë nuk ishte më mirë. Por falë manisë sime për protokoll, falë karakterit të paafruar dhe të mbyllur, largësia sidoqoftë ruhej. Po përse të shkaktohej kjo rrëmujë e kjo gjullurdi në një shtëpi private, mund të pyesë ndokush. Nga koha atërore dhe stërgjyshore Ismail beu kishte mësuar se banesa e sanxhakbeut ishte edhe seli qeveritare. Ndaj edhe selamllëku i shtëpive të bejlerëve, quhej në shqip zapana. Kështu edhe Ismail beut nuk i pëlqente të rrinte në bashki. Dhe njerëziut, që me punë a pa punë, duhej të takonin kryetarin e shtetit, vinin turma-turma në banesën e tij private. Ditët që pasuan, unë takova zyrtarët e lartë të qeverisë së re , të emëruar më 4. 12. 1912, nga i përnderuari kryeministri Ismail beu dhe nënkryeministri fort i nderuari dom Nikollë Kaçorri. Anëtarët e qeverisë së re ishin miq dhe të njohur të mirë, e më duhej të shtoj, se në rrethanat e atëhershme vështirë të bëhej ndonjë zgjedhje më e mirë. Dhe nëse kjo nuk u përgjigjej aspak kërkesave të kohës, nuk ishte faji i saj. Pozita e çdo qeverie përparimtare pas shkatërrimit të sundimit osman nuk mund të ishte e lehtë; vetëm një orë e fortë diktatoriale do të kishte mundur mbase t’ia dilte mbanë qeverisjes. Po ku ishte ky diktator dhe fuqia për të qenë i tillë? Në qeverinë e Ismail Qemal beut dhe të babaxhanit Don Nikollë Kaçorri nuk kishte vend për tiranë mesjetarë, ajo përbëhej krejtësisht nga njerëz të arsyeshëm. Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, unë nuk e mora vesh kurrë edhe pse, them se e njihja shumë mirë atë çerdhe mjerane , që quhej asokohe Vlorë. Më mirë nga të tjerët e kishte- këtë e kam parë vetë - ministri i Postëtelegrafës: ai ishte zot i një ministrie të tërë, i Zyrës Posttelegrafike të Vlorës. Asambleja kombëtare që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28. 11. 1912, u shpërnda më 7. 12. 1912, pasi zgjodhi më parë, në këmbë të saj, një Këshill Pleqsh, (senat) me 18 anëtarë.

Gjatë kohës që qëndroja në Kuç isha zgjedhur (në mungesë) delegat, e tani u zgjodha senator i Vlorës. Dy nga ministrat ishin miqtë e mi, Myfit bej Libohova dhe Abi bej Toptani. Por nuk kishte dy njerëz më të ndryshëm, madje më të përkundërt nga karakteri. Ndërkohë që Myfit beu i merrte me të përqeshur të gjitha këto: mangësitë e qeverisë së përkohshme, papjekurinë e popullit shqiptar, madje tërë këto fyerje që na kishin pllakosur, Abdi beu, përkundër, pikëllohej dhe dëshpërohej sa s’thuhej kur ishte i detyruar ta paguante me një apo dy javë vonesë marrjen e rrogave në shtetin e ri shqiptar. Po ku e mësuan shqiptarët, pyesnim më shpesh me tallje, konceptin e rrogës mujore? Problemi i financave, që unë do ta quaja me emrin e tij të vërtetë: vështirësitë për të siguruar paratë e nevojshme për të mbajtur aparatin shtetëror dhe këto mori të shpërngulurish më dukeshin të pazgjidhshme. Sipas koncepteve turko-shqiptare, Vlora dhe Berati ishin krahina të pasura. Por të ardhurat nga doganat nuk vileshin më për shkak të bllokadës detare greke dhe me afërsisht 6000 -7000 napolonat që qeveria e përkohshme mund të siguronte në muaj, Abdi beu duhej të bënte çudira, duke përmendur këtu se asnjë nga bejlerët nuk mori kurrë asnjë grosh si rrogë apo si dëmshpërblim. Myfit beu, ministri i Brendshëm, banoi disa javë tek unë, pastaj mori me qera një shtëpizë të këndshme prapa avllisë sonë, ku jetoi gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vlorë. Stili në të cilin ai e drejtoi Ministrinë e Brendshme, të kujtonte paksa kohën e Dagobertit, Mbretit të mirë të Frankove: pakëz atëror, pakëz kalorsiak, por edhe pakëz despotik.

Pas një jave

Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar.
Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë “ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej. Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: “Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht : “Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”. Por natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai,- tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që ka e kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)! Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë!



Qeveria

Kryetar Shteti, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme: Ismail Qemal bej Vlora
Zëvendëskryeministër: dom Nikollë Kaçorri
Ministër i Brendshëm: Myfit bej Libohova dhe Asllan Pashali
Ministër i Drejtësisë: Dr. Petro Poga
Ministër i Bujqësisë: Pandeli Cale
Ministër i Financave: Abdi bej Toptani
Ministër i Arsimit: Dr. Luigj Gurakuqi
Ministër i Luftës: Gjeneral Mehmet pashë Dralla
Ministër i Punëve Botërore: Mitat Dume Frashëri
Ministër i Postëtelegrafës: Lef Nosi


Forumi aLbdigital
Jeta është e bukur - Jetoje ! malesia.org&malesiaforum.com
Shiko profilin e anëtarit http://www.malesia.org

3Normal Re: Flamuri Kombëtar prej Fri Jan 11 2008, 22:37

Ma-Origano

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Vazhdon polemika rreth flamurit kombëtar që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë

Flamuri i Skënderbeut në shtëpinë e Vlorajve


Në këtë shtëpi ka lindur dhe Ismail Qemali, emblema e Pavarësisë

Bardhosh Gaçe

Dita e 28 Nëntorit është një festë mbarë kombëtare e shqiptarëve, brenda kësaj dite historike përmblidhen kujtimet e shkruara e të pashkruara të shqiptarëve.

Tek ajo ditë historike ringjallet jeta, luftërat dhe përpjekjet e brezave të tërë shqiptarësh për lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tyre. Rrënjët e kësaj dite historike duhen kërkuar thellë në kohërat e gjëmimeve të Skënderbeut dhe trimave të tij, të cilët u bënë mbrojtës dhe emërmëdhenj në Evropë kundër invazionit osman. Kur kujtojmë 28 Nëntorin apo lexojmë studime e shkrime për këtë kohë të bekuar, ne shqiptarët ende duhet të reflektojmë në përmasat dhe vendin që duhet të zërë ajo në historiografi, pasi mjaft shkrime dhe studime janë të zbehta dhe nuk japin një tablo të plotë të këtij akti historik. Vitet e fundit janë bërë mjaft përpjekje që akti i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të lidhet ngushtë me tërë ato lëvizje kombëtare që zhvilloi Rilindja Shqiptare, e sidomos Lidhja Shqiptare e Prizrenit që ishte një nga vatrat që e ngriti në kushte të reja këtë lëvizje për çlirimin nga zgjedha otomane dhe përcaktimin e programit polizoik të saj. Është shumë domethënëse që Vlora u bë një nga vatrat e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë qytet, Mustafa Pashë Vlora, që Ismail Qemali e quante "mësuesi im i kombëtarizmës", ishte nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu si edhe Abdyl Frashëri. Roli i tij në mjaft dokumente angleze, turke, franceze e austriake, tregon qartë se ishte jo vetëm një personalitet i Rilindjes Kombëtare, por edhe promotorr i gjithë asaj lëvizje në jug të Shqipërisë, në Vlorë, Janinë, Prevezë e Gjirokastër. Vetë Abdyl Frashëri pati ardhur në Vlorë në vitin 1879 dhe organizoi një kuvend të madh për atdhetarët për realizimin e kërkesave themelore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo ngjarje e madhe historike la gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë së Jugut. Në Vlorë dhe në krahinat e saj veprimtarët më të shquar ishin figura të njohura luftarake e intelektuale si: Odhise Kasneci, Zerbin Cakalli, Sulejman Aliko, Musa Bodo, Beqir Hallkokondi, Xhemil Vlora etj.


Pavarësia dhe Ismail Qemali

Sigurisht, në këtë ngjarje madhore, shpalljen e Pavarësisë shqiptare dhe ngritjen e flamurit në Vlorë, figura kryesore ishte Ismail Qemali si politikan, atdhetar dhe njohës i thellë i Fuqisë së Madhe, i gjendjes së brendshme e të jashtme të Perandorisë osmane dhe Ballkanit. Por, Shpallja e Pavarësisë kombëtare nuk mund të kuptohet pa atë plejadë intelektualësh, luftëtarësh e diplomatësh shqiptarë, të cilët luftuan e qëndruan në krah të njëri-tjetrit si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Rasif bej Dino, Luigj Gurakuqi, Aqif Pashë Elbasani, Mehmet Pashë Dërralla, Vehbi Dibra, Syrja Vlora, Mitat Frashëri, Petro Poga, Pandeli Cala, Murat Toptani, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Dhimitër Berati, Sali Gjoka etj. Qeveria e Përkohshme e Vlorës i kushtoi një rëndësi të veçantë, krahas organizimit të shtetit shqiptar, edhe njohjes së Pavarësisë Kombëtare në Evropë e në vende të tjera. Siç shkruan edhe profesori i të Drejtës Kombëtare baroni Dekamp dhe studiuesi i njohur italian, Antonio Baldaçi, në mjaft shkrime e studime të tyre e japin të qartë Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe marrëdhëniet e qeverisë së Vlorës me faktorin ndërkombëtar. Mbi të gjitha në mjaft dokumente dhe vendime të qeverisë së Vlorës, vihet re përpjekja e saj për të organizuar administartën dhe jetën politike, shoqërore e ushtrake, sipas modeleve të shteteve evropiane. Edhe Kanuni i përtashëm ishte një akt juridik i mbështetur në këto parime evropiane.


Flamuri i Skënderbeut në ballkonin e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës

Do të dëshiroja të ndalesha edhe në dy momente të kësaj ngjarjeje në organizimin e Kuvendit të Vlorës, kësaj ngjarjeje madhore. Ismail Qemali me atdhetarët shqiptarë, pas takimit me diplomatët anglezë, italianë dhe ata të Vjenës, shkuan në Trieste ku i prisnin bashkatdhetarët e tjerë. Atë kohë në Shqipëri u krijua një situatë dramatike, ushtria serbe kishte pushtuar Shqipërinë Veriore dhe nga Shkodra po marshonte për në Durrës. Në këtë moment Ismail Qemali i dërgon telegram parisë së Vlorës, ku u ngrit një komision përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në këtë telegram thuhej: "Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo Vlorë është shumë e rëndësishme. I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua…". Ky komision përgatitor luajti një rol të madh në përgatitjen e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ata ishin nga atdhetarët më të shquar si: Qazim Kokoshi, Hasan Sharra, Ibrahim Abdullhu, Syrja bej Vlora, Abaz Mezini, dom Mark Vasa, Elmaz Xhaferri, Haziz Xhyheri, Leonidha Bezhani, Bektash Cakrani, Ethem bej Vlora, etj. Disa prej tyre nuk përmenden në tubimet që bëhen, por mendoj që veprimtaria e tyre kombëtare duhet të ndriçohet. Pa momentin e ngritjes së Flamurit Kombëtar, pas fjalimit të zjarrtë të Ismail Qemalit dhe shpalosjes së flamurit të Skënderbeut në ballkonin e shtëpisë së Xhemil bej Vlorës, në atë shtëpi që kishte lindur dhe Ismail Qemali, e cila ka qenë në vendin ku sot është Monumenti i Pavarësisë, e quaj një akt të madh shpirtëror edhe faktin që, klerikët më të mëdhenj të kohës si: prifti ortodoks Marko Mocka, prifti katolik dom Mark Vasa, dhe kleriku mysliman Haxhi Muhameti, bekuan me fjalët e zotit flamurin kombëtar. Kohët e fundit në disa artikuj vazhdon polemika që është zhvilluar edhe më parë rreth flamurit kombëtar. Në mjegullat e kohës të pushtimit osman u harrua edhe forma dhe ngjyra e flamurit shqiptar. Rilindasit tanë, siç mësojmë prej Spiro Dines, e dinin që flamuri i Skënderbeut ishte me një shqiponjë të bardhë. Anëtarët e shoqërisë së Stambollit vunë në stamën e tyre një shqiponjë me kokë të ulur mbi një shkëmb. Ndërmjet viteve 1880-1895, Zef Skiroi e mbas tij edhe Anselmo Lorekio, në botimin e gazetës së tyre, mbanin si emblemë flamurin e Skënderbeut. Mbas vitit 1900, këtë emblemë e mbante edhe Faik Konica, në revistën "Albania" që botohej në Bruksel. Po në Bruksel, më 1899 u prodhua flamuri i parë shqiptar, i cili ishte zhdukur që në kohën e Skënderbeut. Më 1907, me flamurin e Skënderbeut parakaloi një grup shqiptarësh në rrugët e Bostonit. Një flamur të tillë qëndisi edhe Said Najdeni në burgun e Edmesë. Dervish Hima, më 1908 solli një flamur në vendin tonë me fushë të kuqe. Dritë të plotë mbi flamurin tonë kombëtar hodhi Faik Konica, në artikullin "Flamuri i Shqipërisë" në vitin 1909, në revistën "Albania", i cili thotë se: "Flamuri ynë, i cili është një nga më të lavdëruerit në botë, është padyshim edhe një nga më të vjetrit".


Forumi aLbdigital
Jeta është e bukur - Jetoje ! malesia.org&malesiaforum.com
Shiko profilin e anëtarit http://www.malesia.org

4Normal Re: Flamuri Kombëtar prej Fri Jan 11 2008, 22:37

Ma-Origano

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Historia e flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës. Në veprën e tij “Jetët paralele” Plutarku thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Herakles, kur dëgjoi luftëtarët e tij që po këndonin një këngë që e quanin shqiponjë, ai u thotë atyre: “Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni krahët fitimtarë që më sollët deri këtu.”

Në monedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit, duket një shqiponjë që mban në kthetra rrufetë e Zeusit. Po kështu, kalorësit e Skënderbeut, gjatë fushatës së tij në pulia, na ndihmë të mbretit të Napolit, mbanin flamuj të vegjël të kuq me një shqiponjë të zezë dykrerëshë në mes. Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak bizantin, gjerman, rus. Sundimtarët e mëdhenj e të vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan të mbajnë këtë simbol pushteti. Kështu, mbase ka bërë edhe Skënderbeu. Sidoqoftë në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë. Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Marisë së ëngjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi të dy krerët e saj. Midis viteve 1880 - 1895, Zef Skiroi e më pas Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan , pothuajse në çdo numër, këtë emblemë si flamur të Shqipërisë. Pa 1900-ës atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij “Albania” në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, së bashku me djelmurinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë timë shfaqjen e dramës “Pirrua” të Mihal Gramenos. Aty, ku kryepriftëresha e Orikumit i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit i thotë: “Me këtë shenjë ti do të fitosh”, në prani të prefektit, oficerëve turq si edhe të gjithë trupit konsullor me shaka, por edhe me një farë kapadaillëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar. Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndi0e, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje. Euforia atdhetare krijoi një gjendje të nderur. Natyrisht që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai, Ferit pasha, asokohe ministër i Brendshëm. Ai e quajti të “pahijshme” këtë sfidë në shtëpinë time e para të ftuarve të mi. Ka pasur edhe raste të tjera kur flamuri shqiptar ka luajtur role, madje shumë më luftarake. Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë, në vitin 1911, në Cetinj mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Toçi. Në krye të një grupi vullnetarësh e malësorësh, ai çau deri në Mirditë, ku edhe shpalli një republikë shqiptare, doemos jetëshkurtër, që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë aksion, të thuash operete, ishte besnikëria ndaj etnitetit shqiptar që arbëreshët dëshmuan me qëndrimin e tyre: “Ata luftuan me trimëri të rrallë e pa asnjë mëdyshje, thuajse me gëzim, rrezikuan jetën e tyre, duke u dhënë kështu zemër edhe vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur para aq kohësh. Më vonë Terenc Toçi, ky atdhetar i zjarrtë pati poste të larta zyrtare në Shqipëri, deri sa, pas një procesi, ku u akuzua për mungesë patriotizmi, pushkatohet nga komunistët në vitin 1945.



Dy versione të tjera për flamurin

Jemi mësuar të themi se flamurin e ka qëndisur Marigoja, e cila u largua nga vendlindja e saj Oçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni grek. Në vitin 1904 bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte.

Gazeta “Arbëria” që dilte në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan se “Flamurin kombëtar që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga Ismail Qemali është qëndisur nga Marigo Posio mbi copën e blerë te tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes që kishin vizatuar patriotët don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë e dinin dhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj punoi dhe 500 flamuj për zyrat e ndryshme të shtetit të parë shqiptar”.

Marigoja për këtë gjest është dekoruar në vitin 1960 “Urdhri i Lirisë së Klasit të Dytë”, me motivacion “ka punuar pa u lodhur në përhapjen e gjuhës shqipe, çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare”. Më pas ka marrë emrin e saj një shkollë tetëvjeçare.

Një tjetër variant
“Flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë e kam sjellë unë nga Bukureshti, duke e mbajtur në gji”, ka thënë në kujtimet e tij, Spiridon Ilo, njeri prej firmëtarëve të aktit të pavarësisë. Për shumë vite me radhë, versioni zyrtar ishte: “Flamuri që Ismail Qemali ngriti në ballkonin e shtëpisë së tij, u qëndis nga korçarja Marigo Posio, që jetonte në atë kohë në Vlorë. Marigoja e qëndisi falmurin brenda natës”. Ky është pak a shumë shpjegimi zyrtar, që jepet ndër të tjera edhe në tekstin e Historisë së Shqipërisë. Por, versioni i shndërruar në legjendë, nuk i kënaq të gjitha interpretimet. Versioni më i mundshëm dhe më i vërtetuari kohët e fundit është ai që del nga gjithë kujtimet e pjesëmarrësve në shpalljen e Pavarësisë. Flamuri, që Ismail Qemali ka ngritur në Vlorë dhe që simbolikisht shënon pavarësinë, është po ai që zbukuronte podiumin e hotel “Kontinentalit” në Bukuresht, mbrëmjen e 5 nëntorit 1912. Takimi i Ismail Qemalit me patriotët Shqiptarë të Bukureshtit, u bë vendimtar për shpalljen e pavarësisë, që u bë realitet 23 ditë me vonë në Vlorë. Të gjitha burimet shënojnë se flamuri u mor nga Spiridon Ilo dhe gjatë gjithë udhëtimit, ai e ka mbajtur me vete. Por, Spiridon Ilo ishte djali i tezes i Marigo Pozios. Mbrëmjen e 27 nëntorit, ai ka bujtur në shtëpinë e saj në Vlorë dhe sipas dëshmive, Pozio ka qëndisur brenda natës thekët e flamurit dhe zbukurimet e shqiponjës.


Forumi aLbdigital
Jeta është e bukur - Jetoje ! malesia.org&malesiaforum.com
Shiko profilin e anëtarit http://www.malesia.org

Sponsored content


Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi