Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Arti Dhe Kultura «« » Arti Dhe Letersia Shqiptare » MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla)

MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla)

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Fri Nov 16 2007, 05:30

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Millosh Gjergj Nikolla - Migjeni

Migjeni është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Migjeni lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës. Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit.

Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me biçikletë, ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngaqë mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.
Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten "Illyria". Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

2Normal Re: MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Fri Nov 16 2007, 05:30

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Poezia e Migjenit
Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet '30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat për të ardhmen.
Vëllimin e tij "Vargjet e lira" (1936) Migjeni e hapte me vjershën "Parathënia e parathënieve" ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu: "Përditë prendojnë Zotat", Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t'u përulet më "idhujve".
Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: "Kangët e ringjalljes", "Kangët e mjerimit", "Kangët e perëndimit", "Kangët më vete", "Kangët e rinisë" dhe "Kangët e fundit".
Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e "Njeriut të Ri", prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës. Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e "Njeriut", i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re:

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)

poeti është i bindur se asgjë s'mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë, që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

Shiko profilin e anëtarit

3Normal Re: MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Fri Nov 16 2007, 05:32

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
Proza e Migjenit

Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publiçistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet "A don qymyr zotni?", "Studenti në shtëpi", "Të çelën arkapijat", "Historia e njenës nga ato", "Qershijat", "Bukën tonë të përditshme falna sot", në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t'i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik. Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat e thella dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti të sjellë në letërsinë tonë përgjithësime të rëndësishme ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.
Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve të tilla si malësorja ("A don qymyr zotni"), Nushi dhe Agla ("Studenti në shtëpi"), ose Bakalli ("Të çelen arkapijet") e Kola ("Bukën tonë të përditshme falna sot"), janë dhënë me forcë të rrallë artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni. Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm në formën e një eseje filozofike të problemeve të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë abisine, Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie etj.

Shiko profilin e anëtarit

4Normal Re: MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Fri Nov 23 2007, 03:04

Ma-Origa

avatar
Vizitor
e bukur kjo love

5Normal Re: MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Fri Nov 23 2007, 03:05

Ma-Origa

avatar
Vizitor
pune e bukur nga ana jote

6Normal Re: MIGJENI (MIllosh GJErgj NIkolla) prej Sun Jan 06 2008, 08:02

Ma-Origano

avatar
Moderator/e
Moderator/e
kam lexuar libra nga ky shkrimtar


Forumi aLbdigital
Jeta është e bukur - Jetoje ! malesia.org&malesiaforum.com
Shiko profilin e anëtarit http://www.malesia.org

Sponsored content


Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi