Portali aLbdigital.net
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

You are not connected. Please login or register

Portali aLbdigital.net » »» Më Pran Njëri-Tjetrit «« » Ndihmoni Njeri-Tjetrin » Studimet ne Gjermani

Studimet ne Gjermani

Shko poshtë  Mesazh [Faqja 1 e 1]

1Normal Studimet ne Gjermani prej Thu Jan 24 2008, 06:12

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
1. Sistemi i shkollave të larta në Gjermani

Ç’lloje shkollash të larta ekzistojnë në Gjermani?


Tre lloje kryesore: universitete, institute të larta profesionale dhe shkolla të larta të arte-ve.

Cilat janë ndryshimet midis këtyre shkollave të larta?

Në mënyrë shumë të përgjithshme mund të thuhet që studimet në universitete janë më teo-rike dhe më gjata në kohë, studimet në institutet e larta profesionale janë më praktike dhe më të shkurtra. Dhe është e kuptueshme që nuk mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm për shkollat e larta të arteve.

Çfarë lloj diplomash mund të merren në shkollat e larta gjermane?

Diploma e instituteve të larta profesionale deri tani quhej “Diplom”, ndërsa në universitete deri tani ka patur tre lloje diplomash: “Staatsexamen” për mjekët dhe juristët, “Diplom” për studimet e shkencave natyrore, sociale dhe ato të inxhinierisë, si dhe “Magister” për studi-met e dijeve humane.

Përse përdoni fjalët “deri tani”? Nuk është më aktual ky sistem?

Sistemi që sapo përshkruam nuk do të ekzistojë më brenda pak vitesh. I ashtuquajturi “Procesi i Bolonjës” do të thotë që në Gjermani, si dhe në të gjitha vendet e tjera europiane do të ekzistojnë vetëm diplomat “Bachelor” (diploma e parë) dhe “Master” (diploma e dytë) – me përjashtim të mjekëve, teologëve dhe juristëve, për të cilët ka ende shumë debat. Diplo-mat “Bachelor” dhe “Master” kanë si qëllim që studimet të bëhen më të shpejta dhe më efi-çiente. Atëherë, nëse dëshironi të kryeni studime me perspektive, më mirë kërkoni studi-met “Bachelor” ose “Master”. Deri tani, rreth 35 përqind e studimeve në Gjermani përputhen me këtë sistem të ri.

Cili është ndryshimi kryesor midis sistemit shqiptar dhe atij gjerman?

Në Gjermani shkollat e larta gëzojnë një autonomi relativisht të madhe, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik. Kjo do të thotë që çdo shkollë e lartë ka një profil të ndryshëm, gjë që në shumë raste krijon probleme për studentët e huaj që janë në kërkim të një universiteti ose të studimeve të përshtatshme. Nga ana tjetër shanset për të gjetur një universitet që përmbush maksimalisht dëshirat dhe kërkesat e studenteve janë më të larta. Por cilido qoftë universiteti juaj – në Gjermani mund të jeni të sigurtë se kudo të studioni sipas standarteve më të larta ndërkombetare.


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

2Normal Re: Studimet ne Gjermani prej Thu Jan 24 2008, 06:13

LuNa

avatar
Moderator/e
Moderator/e
2. Financimi i studimeve në Gjermani

Sa kushtojnë studimet në Gjermani?

Deri sot studimet në Gjermani kanë qenë falas. Megjithatë, me një vendim të gjykatës më të lartë gjermane në fillim të 2005, universitetet kanë fituar të drejtën për të marrin taksa nga studentët. Aktualisht nuk është e qartë se sa duhet të paguajnë studentët, por pritet që taksa të jetë rreth 500 EUR për semestër. Ky sistemi i taksave do të zbatohet që nga viti akademik 2006/2007 në shumicën e rajoneve të Gjermanisë.

Sa kushton të jetuarit në Gjermani?

Ekspertët dhe përvoja e deritanishme kanë treguar se 6500.- EUR në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten. Minimumi është 6500.- EUR. Bashkë me taksat e reja të universiteteve kjo shkon deri 7500.- EUR në vit.

A ka bursa për studime në Gjermani?

Për fat të keq, oferta për bursa për studime në Gjermani është shumë e kufizuar. Mund të provoni të informoheni në adresën www.e-fellows.net, ku paraqiten disa oferta të kufizuara. Nëse jeni në Gjermani dhe keni marrë nota shumë të mira në të dy vitet e parë, mund të aplikoni për një bursë nga një fondacion politik gjerman.

Atëherë, të gjitha studimet e mia duhet t’i paguajnë prindërit e mi!?

Jo gjithmonë. Në Gjermani, studentët e huaj që vinë nga një vend joanëtar i Bashkimit European mund të punojnë 90 ditë në vit. Në këtë mënyrë mund të financoni një pjesë të studimeve tuaja, por jo të gjitha. Studimet në një gjuhë të huaj kërkojnë mjaft angazhim dhe nuk do të keni shumë kohë për të punuar.

3. Rruga individuale drejt universitetit ose institutit të lartë profesional

Çfarë duhet të di nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

Fillimisht duhet të dini ç’farë dhe ku dëshironi të studioni.

Kush mund të më ndimojë për të vendosur se çfarë të studioj?

Përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ju vetë e dini më mirë se kushdo tjetër se për ç’gjëra keni më shumë interes dhe ç’farë drejtimi universitar ju pëlqen më shumë.

Kush mund të më ndihmojë për të gjetur një universitet ose një institut të lartë profesional që përputhet me interesat e mia?

Përsëri një përgjigje e shkurtër: Ju vetë. Ndoshta ju keni dëshirë të banoni në një qytet të përcaktuar, ndoshta atje keni familje ose të afërm. Ndoshta keni dëshirë të studioni në një universitet të madh ose preferoni një universitet të vogël.

Një ndihmë këtu mund t’ju ofrojë interneti: Nën adresën www.dashochschulran king.de mund të kërkoni universitetin apo institutin e lartë profesional që përputhet më mirë kërkesat dhe dëshirat tuaja. Ka edhe informacion në anglisht.

Nëse kërkoni informacion për qytetet në Gjermani, këtë do ta gjeni gjithmonë nën adresa të tilla si p.sh. www.koeln.de (Köln), www.hamburg.de (Hamburg) ose www.berlin.de (Berlin).

Por unë dua vetëm të shkoj në Gjermani, nuk më interson aspak se çfarë do të studioj atje!

Me një qëndrim të tillë do të pësoni zhgënjim të madh. Vendimi për të studiuar në një uni-versitet është një vendim që do të ketë ndikim shumë të madh për gjithë jetën tuaj, si në Gjermani ashtu edhe në Shqipëri.


4. Gjuha gjermane

A duhet ta zotëroj gjermanishten nëse dëshiroj të studioj në Gjermani?

Nëse dëshironi të kryeni studime universitare: Po.

Nëse doni të kryeni studime pasuniversitare, “master” ose doktoraturë: Jo gjithmonë.

Sa mirë duhet ta zotëroj gjuhën gjermane?

“Studienkolleg”-et kërkojnë “njohuri e mirë” – por janë ata vetë që do të përcaktojnë se çfarë kuptohet me “njohuri e mirë”.

Për të kryer studime në një universitet ose në një institut të lartë profesional, ju keni nev-ojë për njohuri të shkëlqyeshme. Duhet ta provoni duke bërë një provim që quhet “DSH” (Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang). “Studienkolleg”-et do t’ju përgatisin për këtë provim i cili mund të quhet një provim i vështirë.

Ku mund ta jap DSH-në?

DSH-ja jepet në universitetet gjermane. Kush nuk kalon mund ta riprovojë vetëm një herë tjetër.

A ka alternativë për DSH-në këtu në Shqipëri?

Për fat të keq jo shumë:

-Qendra e Gjermanishtes në Tiranë organizon provimin ZOP. Më shumë informacion mund të merrni në Qendrën e Gjermanishtes pranë shkollës së mesme “Asim Vokshi”.

-Kujdes: Shkollat që ju garantojnë se mund të studioni në Gjermani vetëm me deftesën e tyre të pjekurisë ju mashtrojnë!!

Ku mund ta mësoj mirë gjuhën gjermane?

Ne rekomandojmë Qendrën e Gjermanishtes në shkollën e mesme “Asim Vokshi”, në Rrugën e Elbasanit. Atje mund të merrni mësime nga një staf shumë i kualifikuar dhe pagesa nuk është e lartë. Provimet në Qendrën e Gjermanishtes përputhen me standartet e Institutit Goethe që është i njohur në të gjithë botën. Natyrisht që në Shqipëri ka edhe shumë shkolla private, por nuk mund t’ju themi asgjë për cilësinë e tyre.

Atëherë, nëse dëshiroj të studioj në Gjermani, më mirë të filloj të mësoj gjermanishten që sot!

Ashtu është!


5. Rruga drejt shkollave të larta gjermane - formalitetet

A mund të filloj të studioj menjëherë?

Për fat të keq jo. Nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme duhet të japin fillimisht një provim që quhet “Feststellungsprüfung”. Provimi ka dy pjesë: një provim teknik dhe DSH-ja (“Deutsche Sprachprüfung für den Hochschulzugang”, shiko “Gjuha”). Për këtë provim, ju mund të përgatiteni nga një institucion parauniversitar që quhet “Studienkolleg”. Në të gjithë Gjermaninë ekzistojnë “Studienkolleg”-e.

Atëherë, çfarë duhet të bëj fillimisht?

Hapi i parë: Kërkoni në internet universitetin ose institutin e lartë profesional për të cilin jeni të interesuar. Këta do t’i gjeni gjithmonë nën adresat si p.sh: www.uni-konstanz.de (për universitetin e Konstancës) apo www.fh-jena.de (për institutin e lartë profesional të Jenës).

Hapi i dytë: Kërkoni faqet e “Akademisches Auslandsamt”-it (AAA) ose “International Of-fice”. Atje mund të informoheni – edhe në anglisht – se për cilat dokumente keni nevojë për të bërë një aplikim. Në shumë raste, këta janë: Dëftesa e pjekurisë, një çertifikatë që tregon nivelin tuaj të gjermanishtes, një fotokopje e pashaportës tuaj dhe një letër motivimi. Nëse studioni në një universitet shqiptar, kërkohet edhe një çertifikatë që provon se e keni kaluar provimin e pranimit. Të gjitha dokumentat në shqip duhet të jenë të përkthyera në gjermanisht dhe të noterizuara.

Hapi i tretë: Plotësoni një “Antrag auf Zulassung zum Studium für ausländische Studienbe-werber/innen” (“Aplikim pranimi për studime nga aplikues të huaj”). Këto aplikime ekzistojnë në gjermanisht dhe në anglisht. Shumica e universiteteve përdorin këtë aplikim standart.

Kur janë afatet të fundit për t’i dorëzuar aplikimet?

Sa më shpejt, aq më mirë. Në shumë universitete dhe institute të larta profesionale data e fundit është 15 korrik, në disa shkolla të larta data është më herët. Zakonisht, shkollat e larta nuk pranojnë në asnjë mënyrë që dokumentat të dorëzohen më vonë. Deri në datën e përcaktuar të gjitha dokumentat duhen të ndodhen në zyrat e “Akademisches Auslandsamt”-it ose në zyrën e ASSIST-it.

Çfarë është “ASSIST”?

“ASSIST” është një vend qendror që i ngarkuar nga rreth 50 shkolla të larta kontrollon nëse dokumentat tuaja janë të plota dhe formalisht në rregull. Nëse universiteti që ju keni zgjedhur është anëtari i ASSIST-it duhet të drejtoni aplikimin tuaj atje. Aktualisht një aplikim me ASSIST-in kushton 50 Euro. Çdo aplikim tjetër kushton 10 Euro. Adresa në internet me listën e universiteteve anëtarë: www.uni-assist.de.

Çfarë mund të bëj në rastin kur ka probleme?

Duhet të mbani patjetër kontakt me “Akademisches Auslandsamt”-in apo me “International Office”. Formuloni pyetjet tuaja në mënyrë sa më konkrete; shumë zyra nuk u përgjigjen më pyetjeve të përgjithshme (si p.sh. “Hello, my name is XY, what can I do if I want to study in your university?”), sepse marrin çdo ditë disa qindra E-Maile nga gjithë bota. Në qoftë se nuk merrni përgjigje, provoni një herë tjetër. Provoni edhe të flisni me telefon.

Marrë nga faqa e ambasades gjermane ne TR


Forumi aLbdigital
"Nuk mund te jesh i drejte,nese nuk je i njerezishem"
Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye  Mesazh [Faqja 1 e 1]

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi